Rama fton Dritan Abazoviç ti bashkohet “Open Balkan”

  • A.P /
  • 28 April 2022 - 23:05
Rama fton Dritan Abazoviç ti bashkohet “Open Balkan”

Nga konferenca për mediat me komisionerin për zgjerimin e BE-së, Oliver Varheley, Edi Rama ftoi edhe Malin e Zi që t’i bashkohet projektit të preferuar të tij, “Open Balkan”.

Kryeministri Rama bëri me dije se takimi i radhës i Open Balkan do të mbahet me 9-10 qershor në Ohër, ndërsa ftoi Malin e Zi t’i bashkohet.

Ftesa e Ramës erdhi nga një përgjigje e gjatë e kësaj pyetje: “Si i shihni ndryshimet politike në Malin e Zi dhe a keni marrë sinjale nga Mali i Zi për t’ju bashkuar ‘Open Balkan’?” 

“Ne jemi të vendosur të vazhdojmë pa lëkundje dhe sigurisht jemi të interesuar që edhe të tjerët të përfshihen sepse ndaj është krijuar që të gjithë të përfshihen. Dhe me kryeministrin e ri të Malit të Zi ende nuk kam komunikuar, imagjinoni sikur dikush t’ju thoshte 5 vjet përpara që Ballkani Perëndimor me 6 vende do të kishte tre kryeministra shqiptar, sot është realitet, kjo mund të jetë shenjë e mirë apo e keqe nuk e di. Por sot janë tre shqiptarë kryeministra dhe kjo nuk është pak është shumë… Përpara ecin dhe fitojnë nëse dinë të sillen si njerëz të paqes, ne do ta riftojmë Malin e Zi, i takon kryeministrit të Maqedonisë së Veriut për të bërë ftesën zyrtare sepse takimi i ardhshëm do të jetë në Ohër më 9-10 qershor. Por unë do të bëj përpjekjen time që Dritani të jetë në tryezë, por vjen Mali i Zi apo jo, vjen Kosova apo jo, Ballkani i Hapur do të vazhdojë, të gjithë do të vijnë një ditë.” – u shpreh Rama.

(Kosova Sot Online)