Liria e shtypit, presidentja Osmani: Shembull i shkëlqyer i përkushtimit tonë ndaj demokracisë

  • G.G /
  • 03 May 2022 - 11:26
Liria e shtypit, presidentja Osmani: Shembull i shkëlqyer i përkushtimit tonë ndaj demokracisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas publikimit të indeksit të lirisë së shtypit në Kosovë nga organizata Reporterët pa Kufij, e ku në raportin e publikuar në këtë vit, vendi ka shënuar progres për 17 pozita krahasuar me raportin e publikuar në vitin 2021.

Osmani ka thënë se progresi i shënuar nga Kosova në indeksin e lirisë së shtypit të RSF tregon përkushtimin e Kosovës për demokraci.

“Në Ditën e Lirisë së Shtypit ne vlerësojmë gazetarët e guximshëm që i dhanë zë vuajtjeve tona gjatë luftës, dhe ata që vazhduan të qëndrojnë për të vërtetën dhe lirinë sot. Progresi i Kosovës në indeksin e Reporterëve pa Kufij është një shembull i përkushtimit tonë për demokraci”, ka shkruar shefja e shtetit.

Megjithatë Kosovën nuk e kanë nxjerr mirë sa i përket lirisë së mediave, dy raporte të dy institucioneve tjera kreidibile, siç janë Departamenti Amerikan i Shtetit dhe “Freedom House”.

Siç thuhet nëraportin e DASH të publikuar gjatë prillit 2022,  bazuar në burime të besueshme, bëhet fjalë për kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe medias, përfshirë dhunën apo edhe kërcënimet ndaj gazetarëve.

Në raport thuhet se pavarësisht faktit se qeveria ka respektuar në përgjithësi të drejtën e medias për të qenë e lirë, nga raporte të besueshme thuhet se zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare janë përpjekur të frikësojnë përfaqësuesit e mediave.

Gjithashtu raportin thekson faktin se gazetarët kanë hasur në vështirësi për marrjen e informacioneve nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht se me ligje garantohet qasja në dokumente publike.

“Kushtetuta dhe ligji parashikojnë lirinë e shprehjes, duke përfshirë shtypin dhe mediat e tjera. Ndërsa qeveria në përgjithësi e respektoi këtë të drejtë, raporte të  besueshme tregojnë se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare u përpoqën të frikësonin përfaqësuesit e medias. Problemet e financimit gjithashtu minuan pavarësinë e medias. Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë akses në dokumente publike. Komisioni i Pavarur për Media rregullon frekuencat e transmetimit, lëshon licenca për transmetuesit publikë dhe privatë dhe përcakton politikat e transmetimit”, thuhet në raport.

Tutje thuhet se mediat e pavarura kanë qenë aktive dhe kanë shprehur shumëllojshmëri pikëpamjesh në përgjithësi pa kufizime, megjithatë theksohet se raportet gjejnë se zyrtarë qeveritarë, disa parti politike, biznese të lidhura me qeverinë dhe grupe fetare e individë të pakënaqur kanë bërë presion ndaj pronarëve të mediave, redaktorëve apo reporterëve që të mos publikojnë histori apo materiale të caktuara.

“Liria e shprehjes për anëtarët e shtypit dhe mediave të tjera, përfshirë mediat online: Mediat e pavarura ishin aktive dhe shprehnin një shumëllojshmëri të gjerë pikëpamjesh, përgjithësisht pa kufizime. Megjithatë, vazhduan raportet se zyrtarë qeveritarë, disa parti politike, biznese të lidhura me qeverinë, grupe fetare dhe individë të pakënaqur u bënin presion pronarëve të mediave, redaktorëve individualë dhe reporterëve që të mos publikonin histori ose materiale të caktuara. Disa gazetarë u përmbajtën nga raportimi kritik investigativ për shkak të frikës për sigurinë e tyre fizike ose sigurinë e punës”, thuhet në raportin e DASH.

Përveç raportit të Departamentit të Shtetit Amerikan, situatën e rënduar sa i përket lirisë së medias dhe të shtypit në Kosovë e paraqet edhe Raporti i “Freedom House” për vitin 2021 e i cili është publikuar ditë më parë.

Në këtë raport të FH thuhet se gazetarët përballen me presione serioze dhe se rrezikojnë të sulmohen si rezultat i raportimeve që bëjnë.

Përveç kësaj, në këtë raport të FH thuhet se pavarësisht se Kushtetuta e Kosovës garanton lirinë dhe llojllojshmërinë e mediave që operojnë në Kosovë, përfshirë edhe Televizionin Publik (RTK)-në, nga Qeveria dhe bizneset ushtrojnë ndikim në linjat editoriale, përfshirë edhe RTK-në.

“Kushtetuta e garanton lirinë e mediave dhe një sërë mediash funksionojnë në Kosovë, përfshirë edhe Radio Televizionin e Kosovës si operator publik. Megjithatë, Qeveria dhe interesat e bizneseve ushtrojnë ndikim të tepruar në linjat editoriale, përfshirë edhe në RTK”, thuhet në raportin e Freedom House, raporton Express.

Gjithashtu tutje tek seksioni për lirinë e mediave, thuhet se gazetarët kanë raportuar kërcënime dhe ngacmime të shpeshta.

“Disa gazetarë ishin sulmuar gjatë vitit 2021 derisa po raportonin nga veriu i Kosovës”, thuhet në raport.

(Kosova Sot Online)