
Si u pajtuan pozitë e opozitë për të hetuar blerjen e rrymës

Pozita dhe opozita do t’i kenë komisionet hetimore parlamentare të cilat i kërkuan dhe për themelimin e të cilave nuk ishin marrë vesh tash e sa ditë. Komisioni i inicuar nga PDK-ja parashihet t’i analizojë masat e marra prej shpalljes së gjendjes emergjente me energjinë elektrike dhe ta hetojë rolin e Qeverisë mbi menaxhimin e krizës, që ka qenë joadekuat sipas opozitës. Ndërsa LVV-ja ka propozuar një tjetër komision parlamentar ku përfshihet hetimi i investimeve kapitale në KEK nga viti 2006, burimet, punësimet, kontratat për blerje të energjisë elektrike, privatizimi, etj.
Kundërshtimi i opozitës për çështjen e shtrenjtimin të energjisë elektrike bëri që partia më e madhe opozitare, PDK-ja, të iniconte formimin e një komisioni hetimor parlamentar që do t’i zbërthente rrethanat para dhe pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për ndryshimin e tarifave, i cili u konsiderua i paligjshëm dhe diskriminues. Nismën e mbështetën edhe dy partitë tjera opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja.
Për opozitën, hetimi mbi menaxhimin e krizës energjetike nga ana e qeverisë u bë urgjent kur dolën disa dyshime për lidhjet e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj me filialin e një kompani energjetike sllovene, “GEN-I” në Beograd.
Televizioni slloven, Planet TV kishte raportuar për implikimin e Berishajt në një skandal të madh financiar. Sipas televizionit, Berishaj kishte pranuar në llogarinë e kompanisë së tij “MB Consulting” një shumë prej 600 mijë eurosh nga dega në Beograd e kompanisë “GEN-I”, e të cilat pretendohet se i kishte tërhequr në ‘cash’ dhe më pas ia kishte dhënë politikanit slloven, Robert Golob, i cili pritet të bëhet kryeministër atje.
PDK-ja insistonte të hetohej se ku dhe si u shpenzua subvencioni i ndarë nga Qeveria në krizën energjetike, duke aluduar në lidhjet e “Kartelit të Rrymës” me Qeverinë e Kosovës gjatë kësaj krize.
Pasi refuzoi ta mbështeste iniciativën e opozitës, si kundërpërgjigje ndaj kësaj, LVV në fund të prillit propozoi formimin e një komisioni parlamentar që do ta hetonte çështjen e energjisë elektrike që prej para 16 vjetësh.
“Shumëçka nga ajo kohë nuk ka arritur të jetësohet. Andaj, rrethanat e trashëguara nga sektori i energjisë duhen hetuar nga vitit 2006”, thuhej në një komunikatë të partisë në pushtet.
Mospajtimi rreth këtyre dy propozimeve shkaktoi përplasje të mëdha pozitë-opozitë. Në seancën e fundit ku u diskutua për këtë çështje, më 28 prill, pati shumë pëplasje dhe nuk munguan as sharjet.
Përmendja e emrit të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj në skandalin e shpëlarjes së parave në Slloveni rezultuar më përplasje të mëdha në Kuvendin e Kosovës atë ditë. Opozita që kërkonte shkarkimin e tij, dhe pozita që e mbronte duke i cilësuar raportimet si jokredibile.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha në emër të Qeverisë se “nuk kemi asgjë për të fshehur”. Por opozita sheh një kurth të pushtetit në kundërpropozimin e tyre.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri shpërtheu deri në sharje, pasi deputetët e pozitës po bënin zhurmë, ndërsa ai ishte ngritur në këmbë për ta kundërshtuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila po fliste.
Ndërsa mundohej t’i drejtohej Haxhiut nga vendi, Tahiri iu drejtua deputetëve të LVV-së: “Hajde ma shumë, ma shumë. A rob’t jua q****”.
Kundërshtimet u shtuan ndërkohë dhe për pak sa nuk u përshkallëzua gjithçka në seancën e sotme të Kuvendit. Ndërsa pozita donte të merrej me diçka tjetër, opozita insistonte në themelimin e komisionit të propozuar.
Opozita nisi që me veprime t’ia bënte të vështirë pozitës që ta vazhdonte seancën e sotme të Kuvendit, pasi iu refuzua kërkesa që sot të trajtohet propozimi i tyre për formimin e një komisioni hetimor parlamentar për rrymën.
Çështja e komisionit e ngriti në Kuvend si temën e parë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili kërkoi që seanca të vazhdonte vetëm me themelimin e komisionit të propozuar prej tyre.
“Ta konsitutojmë themelimin e komisionit hetimor sepse në të kundërtën nuk ka asnjë kuptim që të vazhdojmë me një normalitet parlamentar kur mohohet një e drejtë fundamentale e opozitës për ta ushtruar funksionin si opozitë”, tha Tahiri.
Pozita vazhdoi normalisht seancën me pikat tjera të rendit të ditës, ndërsa deputetët e opozitës i godisnin tryezat dhe fishkëllenin, ndërsa deputetët e LVV-së flasin në foltore.
Në një moment, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku u nis drejt foltores së Kuvendit, ku ishte duke folur deputeti i LVV-së, Enver Dugolli.
Ndërsa Dugolli po pyeste për çështjen e armëmajtjes nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, Lushtaku iu afrua, e mori shishen aty dhe me të e godiste foltoren vazhdimisht.
Të njëjtën e bëri edhe kur aty shkoi të flasë ministri i Financave, Hekuran Murati.
(Kosova Sot Online)