USAID-i dhuron 270 frigoriferë dhe ngrirës për ruajtën dhe transportin e sigurt të vaksinave

  • E.K /
  • 13 May 2022 - 12:19
USAID-i dhuron 270 frigoriferë dhe ngrirës për ruajtën dhe transportin e sigurt të vaksinave

Sot, drejtoresha e misionit të USAID-it Zeinah Salahi, zëvendësministrja e Shëndetësisë Dafina Gexha-Bunjaku dhe përfaqësueses së UNICEF-it në Kosovë Nona Zicherman, morën pjesë në pranim-dorëzimin e pajisjeve për të siguruar ruajtjen adekuate dhe transportin e sigurt të vaksinave.

Në njoftimin për media thuhet se pranim-dorëzimi i sotëm i këtyre pajisjeve shënon “fazën e parë të zëvendësimit të zinxhirit të gjithëmbarshëm të ftohtë të vaksinave në Kosovë”.

“Kjo përpjekje e mbështetur nga ana e USAID-it do të rrisë kapacitetet e ruajtjes së vaksinave në të gjitha nivelet, nga magazina qendrore e vaksinave pranë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) deri tek qendrat e mjekësisë familjare (QKMF-të) në të gjitha 38 komunat në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Drejtoresha e misionit të USAID-it, Zeinah Salahi tha se po shpërndajnë pajisje që janë një komponent i rëndësisë thelbësore për marrjen e sigurt të vaksinave kundër COVID-19 nga të gjithë njerëzit në vend që kanë nevojë për to.

“Në fakt, këto pajisje të dhuruara nuk do të ndihmojë vetëm programin e vaksinimit kundër COVID-19, por cilindo nga programet e imunizimit në Kosovë që ka nevojë për magazinim të ftohtë të vaksinave – veçanërisht imunizimet rutinore të fëmijëve, një shërbim thelbësor ky i shëndetit publik”, tha ajo.

Resurset e siguruara për Ministrinë e Shëndetësisë përfshijnë pesë dhoma të reja të ftohjes për magazinën qendrore të vaksinave në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik si dhe 270 frigoriferë dhe ngrirës.

Pajisjet në fjalë do të sigurojnë që të gjitha vaksinat të mund të mbahen në temperaturën e duhur.

Më tej bëhet e ditur se  financimi nga USAID-i do të mbështesë trajnimet për stafin e Ministrisë së Shëndetësisë në përdorimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të zinxhirit të ftohtë dhe zhvillimin e një sistemi të digjitalizuar për monitorim dhe menaxhim më të mirë të rezervave të vaksinave.

Që nga fillimi i COVID-19 në Kosovë, Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Kosovën në luftimin e COVID-19 dhe zbutjen e pasojave të tij tek të gjitha komunitetet në vend, përfshirë edhe ato më të margjinalizuarat.

Nga gushti i vitit 2021, Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar mbi një milion doza të vaksinave të sigurta dhe të efektshme Pfizer kundër COVID-19 për popullin e Kosovës.

(Kosova Sot Online)