Hyseni Gucati në Kosovë deri të dielën

  • E.K /
  • 13 May 2022 - 12:04
Hyseni Gucati në Kosovë deri të dielën

Hysni Gucati, i akuzuar nga Gjykata Speciale në Hagë, vazhdon të qëndrojë në Kosovë, me lejen e Dhomave të Specializuara.

Ai ka ardhur të vizitojë babanë e tij të shtrirë në spitalin e Mitrovicës.

Dhomat e  Specializuara kanë deklaruar se lejimi i tij që të vijë në Kosovë nga paraburgimi, ku ndodhet, është bërë për arsye humanitare.

Në orën 9:00 ishte paralajmëruar se Gucati do të vizitonte sot babanë e tij në spital, por siç njofton gazetarja e RTK-së, ai ende nuk ka shkuar.

Gucati po qëndron në Kosovë nën përcjelljen e rreptë të policisë së EULEX-it dhe përveç familjes së ngushtë të cilët i takoi të enjten vetëm për dy orë në shtëpi, natën e ka kaluar në një objekt të EULEX-it në Prishtinë.

Kryetari i OVL të UÇK-së, bazuar në informacionet e siguruara nga RTKlive, do të qëndrojë në Kosovë deri të dielën.

Ndërkohë, të mërkurën pritet që të shpallet aktgjykimi ndaj tij dhe Nasim Haradinajt, të cilët akuzohen për shpërndarjen e dokumenteve konfidenciale të prokurorisë.

Në vjeshtën e vitit 2020, një person i pa identifikuar ka dorëzuar në selinë e OVL të UCK-së, dokumente të cilat më vonë vetë Dhomat e  Specializuara konfirmuan se janë të tyre.

Edhe më tej prokuroria nuk ka dhënë shpjegime se si i kanë rrjedhur ato dosje.

(Kosova Sot Online)