Kurdisjen e cmimeve s’ka kush ta ndëshkojë, Qeveria i kërkon kuvendit të veprojë urgjent

  • E.K /
  • 09 June 2022 - 12:03
Kurdisjen e cmimeve s’ka kush ta ndëshkojë, Qeveria i kërkon kuvendit të veprojë urgjent

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK), më 9 qershor (sot) mbush një vit që kur ka mbetur pa bord – e ky institucion në mungesë bordi mund të bëjë hetime, por s’ka të drejtë ligjore që të ndëshkojë kompanitë të cilat kurdisin çmime.

Pikërisht gjatë vitit kur AKK-ja s’ka komision, në Kosovë ka pasur shtrenjtim të çmimeve për produktet esenciale, dhe jo vetëm.

Sakip Imeri, Drejtor i Përgjithshëm i AKK-së,  ka thënë që “inflacioni është më shumë faktor i jashtëm, pasi Kosova importin e ka të lartë”.

Por nuk ka folur për atë që bizneset kanë mundur ta “shfrytëzojnë” inflacionin si dhe mungesën e ekzekutivit në AKK për të ngritur çmimet.

“Ne kemi bërë hulumtime, por s’mund të gjobisim – mungesa e komisionit e ka bërë të vetën”, ka thënë Imeri.

Ai ka treguar që e ka respektuar ligjin duke e lajmëruar Qeverinë 90 ditë para që komisionit të AKK-së t’i skadojë mandati, më 9 qershor 2021, pra sot një vit.

Qeveria emrat në Kuvend i ka dorëzuar, këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu.

“Nga ajo kohë, Qeveria ka plotësuar listën e anëtarëve të propozuar për Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Tani i takon Kuvendit që t’i trajtojë propozimet e Qeverisë dhe ne presim që kjo të ndodhë sa më parë”, ka thënë Kryeziu.

Emrat e anëtarëve të bordit para që të shkojnë në Kuvend për ta marrë dritën jeshile të deputetëve, kalojnë nëpër Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Gazeta ka tentuar të kontaktojë me kryetarin e këtij komisioni, Ferat Shala – lidhja me të nuk ishte e mundur.

Ky komision më 22 mars të këtij viti nuk i kishte pranuar pesë emrat e propozuar nga Qeveria për të qenë në bord të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës. Më pas Qeveria i ka tërhequr ata për t’i përditësuar me emra të tjerë.

Ani pse ka kaluar një vit i plotë, institucioni që dënon për kurdisje çmimesh është joaktiv.

Pasojat e mungesës së AKK-së

Valon Prestreshi, ish-kryetar i AKK-së, i ka thënë Express se vendit i kanoset rreziku për çdo ditë sa vonohet votimi i komisionit.

Ka përmendur rritjen e çmimeve për produktet ekzistenciale, shtrenjtimin e naftës si dhe atë të energjisë elektrike.

“Rreziku më i madh që mund t’i kanoset vendit nga mos funksionalizimi i Autoritetit të Konkurrencës është se ndërmarrjet e bëjnë shprehi, ndonëse është në interes të tyre, që të merren vesh për rritje dhe fiksim të çmimeve”, ka thënë ai.

Vonesa të tilla në të njëjtin institucion nuk është që në Kosovë po ndodh për herë të parë.

“Kjo praktikë, e mos funksionalizimit të AKK-së po ripërsëritet, sikur në vitet 2013-2016, e që ne raport me shtetet e BE-së, komisionin evropian dhe partnerët tjerë ndërkombëtar jep një hije jo të këndshme Kosovës”, ka treguar ai.

Kosova përballet me inflacion

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur në prill se indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit është 10 për qind në muajin mars, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Rritja e çmimeve në Kosovë vërehet në produktet ushqimore, naftë si dhe energji elektrike.

Opozita në Kosovë i ka kërkuar Qeverisë që ta sjellë në Kuvend Ligjin për Paga. S’ka ndodhur ende.

Megjithatë, ekzekutivi ka nisur procedurën e ngritjes së pagës minimale në 250 euro.

Ka qenë zotim elektoral i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, por tash është theksuar edhe si nevojë ndaj përgjigjes së krizës me çmime.

Paga mesatare neto në Kosovë sipas ASK-së është 416 euro – s’ka lëvizur ajo, çmimet po.

Një nga shkaqet që e ka shkaktuar inflacionin pos pandemisë COVID-19 është edhe agresioni rus në Ukrainë. 

(Kosova Sot Online)