Lajçak me ligjëratë për populizmin në simpoziumin ku merr pjesë edhe Kurti

  • E.K /
  • 12 July 2022 - 09:52
Lajçak me ligjëratë për populizmin në simpoziumin ku merr pjesë edhe Kurti

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po merr pjesë në një simpozium në Greqi, pjesë e të cilit është edhe kryeministri Albin Kurti.

Derisa dje pati një takim me Kurtin për të diskutuar për procesin e dialogut, sot Lajçak foli mbi populizmin, luftën në Ukrainë dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

“Fillova këtë javë në Symi Symposium, ku diskutova me kolegë dhe miq, të cilët ndërtojnë opinionin publik dhe politikat, rreth populizmit, implikimet dhe pasojat e luftës në Ukrainë dhe të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Kurti i ka garantuar Lajçakut një takimin në Greqi se Kosova është përherë e gatshme për dialog.

“Kryeministri Kurti theksoi sërish që Qeveria e Republikës së Kosovës është përherë e gatshme për dialog parimor, të balancuar e konstruktiv. Ai ritheksoi se nga ky dialog duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme e të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke. Për këtë, kemi edhe Rezolutën e Parlamentit Evropian, të miratuar pak ditë më parë, ku bëhet thirrje që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje bazuar në njohje reciproke”, thuhej në njoftimin e Kryeministrisë.

(Kosova Sot Online)