Ambasada Amerikane në Beograd lavdëron Vuçiq për dialogun

  • A.P /
  • 19 August 2022 - 20:28
Ambasada Amerikane në Beograd lavdëron Vuçiq për dialogun

Reagimet pas përfundimit të takimit të 18 gushtit në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, nuk kanë të ndalur. E posacërisht deklaratat e amerikanëve janë të shumta. Pas Departamentit të Shtetit, sot ka folur edhe Christopher Hill, kryediplomati amerikan në Beograd, dhe një figurë shumë e rëndësishme e diplomacisë amerikane.

Ai ka pasur fjalë të mëdha për presidentin serb Aleksandar Vuçiq e Serbinë, duke thënë se ata erdhën në frymën e duhur në Bruksel.

Në një video të postuar në Tëitter, Hill ka folur për takimin, duke thënë se të gjithë janë të mërzitur që nuk është arritur asnjë marrëveshje.

Madje Hill në video tha se duket i inkurajuar për marrëdhënie më të mirë mes SHBA-së dhe Serbisë, nga ajo që pa dje.

Por, Ambasada amerikane në Prishtinë, ende nuk ka folur për dialogun, duke mos treguar se cili është mendimi i saj për qasjen e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel.

Hill më fjalë të mëdha për Serbinë

I pari i Ambasadës së SHBA-së në Beograd, e ka cilësuar 18 gushtit si një ditë të gjatë, me shumë takime e negociata. Njëri nga shtyllat e DASH-it, theksoi se të gjithë janë pak të zhgënjyer për mos zgjidhjen e problemeve.

“Ishte një ditë shumë e gjatë dje në Bruksel, shumë diskutime, takime, negociata. Natyrisht, secili është pak i zhgënjyer që nuk patën mundësi të zgjidhin problemet për kohë të shkurtër, apo të gjatë.”, tha ai.

Hilla nuk u kursye nga lëvdatat për Serbinë, duke thënë se ajo erdhi në diskutime nën frymën e duhur.

“Është shumë e qartë që Serbia erdhi në diskutime nën frymën e duhur, natyirsht se kanë bërë shumë punë për këtë çështje, por ishin të gatshëm që të diskutojnë dhe negociojnë rrugën përpara.”, shtoi Hill.

Madje, fryma e duhur, të cilën e përmend diplomati me karrierë të gjatë në DASH, thotë se i ndihmon shumë Serbisë.

“Unë mendoj që kjo është e mirë, jo vetëm për diskutimet me Kosovën, por në përgjithësi për lidhjen mes SHBA-së dhe Serbia”, theksoi tutje kryediplomati amerikan në Serbi.

Hill, që është njohës i mirë i Ballkanit Perëndimor, ku shërbeu gjatë luftërave të ish-Jugosllavisë, tha se nisur nga ajo që pa dje, është i inkurajuar për marrëdhëniet mes SHBA-së me Serbinë.

Kemi shumë të përbashkëta dhe jamë i inkurajuar për të ardhmën. Jo gjithçka që Serbia dhe SHBA bëjnë duhet të jetë për Kosovën, natyrisht se duam të punojmë në këtë dhe të gjejmë një mirëkuptim, por mendoj që ka çështje të tjera që duhet të punojmë me serbët dhe jam i inkurajuar për këtë, pas asaj që pash dje.

Ndërsa, si diçka të mirë, e cilësoi edhe marrëdhënien mes SHBA-së dhe BE-së.

“Por, unë mendoj që pati disa zhvillime pozitive, fillimisht, SHBA dhe BE po punojnë shumë bashkë. Është një mirëkuptim lidhur me çështjen dhe një kimi e mirë mes SHBA-së dhe BE-së. Mendoj që kjo do të na shërbejë shumë mirë, derisa vazhdojmë përpara.”, përfundoi Hill.

“Nervoza” me Kurtin

Por, Ambasada e SHBA-së në Kosovës nuk ka dhënë ndonjë deklaratë rreth 18 gushtit, siç ka bërë simotra e saj në Serbi.

As vetë ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier nuk ka folur për këtë punë.

Ndërsa, burimet e gazetës Nacionale, treguan se njëjtë sikur SHBA ashtu edhe BE janë të nevrikosur nga mënyra e dialogimit të kryeminsitrit Albin Kurti.

Madje, këto burime theksuan se Kurti ishte jashtëzakonisht këmbëngulës në idenë e tij për të mos negociuar asgjë tejtër, pos çështjes së 1 shtatorit, data kur skadon shtyrja një mujore e zbatimit të reciprocitetit.

Deri më tani, në të gjitha deklarimet publike të aktorëve të përfshirë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ka folur ndonjë fjalë miradie për qasjen e Kurtit.

Ndërsa, kujtojmë që dje DASH ka sqaruar edhe një herë se dialogu mbetet prioritet për SHBA-në.


(Kosova Sot Online)