Bartja e shamisë në shkolla, Nagavci: Udhëzimi Administrativ mbetet në fuqi

  • E.K /
  • 20 August 2022 - 13:50
Bartja e shamisë në shkolla, Nagavci: Udhëzimi Administrativ mbetet në fuqi

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në një konferencë për media ka folur për Udhëzimin Administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkolla e që së fundi iu kërkua të hiqet.

Ajo tha se ky udhëzim nuk është veç për shaminë, por për “mbarëvajtje të procesit”, duke bërë me dije se ai do të vazhdojë të jetë në fuqi.

“Sa i përket Udhëzimit Administrativ, është folur shumë kohëve të fundit. Dua të bëj të qartë se nuk ka ndonjë Udhëzim Administrativ për shaminë, nuk ka pasë asnjëherë me sa unë e di. E gjithë kjo fushatë që është ngritur kohëve të fundit, nuk është e bazuar dhe e qëndrueshme. Është e përcaktuar qartë karakteri i shtetit tonë dhe i institucioneve publike. Udhëzimi Administrativ të cilit i kanë referuar ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta”.

“Është vërtetë që ky Udhëzim Administrativ ka disa çështje ligjore, sepse preambula të cilës i referohet nuk ka të bëjë specifikisht me kompetencat e MASHTI-t. Por, e vërteta është që rekomandimet janë dhënë që ai Udhëzim të mbetet në fuqi, ne nuk mund ta ndryshojmë një nen specifik. Udhëzimi do të mbetet në fuqi dhe do të shohim se si po e rregullojmë tutje vetëm në aspektin formal ligjor”.

Por, Nagavci tha se e drejta për shkollim është një e drejtë e garantuar dhe se askujt s’i mohohet e drejta për të marrë pjesë në shkollat tona.

Po ashtu, Nagavci ka bërë të ditur se shpërndarja e teksteve shkollore ka filluar nëpër shkollat e komunave të Kosovës.

“Nxënësit e klasave të para e deri tek të nëntat do të pajisen me artikuj të rinj shkollor dhe të njëjtat do të përcillen pas çdo viti nëse janë të përdorshme, pa anashkaluar furnizimin me artikuj të rinj çdo vit”.

(Kosova Sot Online)