Si në odat e katundit me rregullat e Kanunit, gjyqësori i dështuar është bërë treg i lirë për shitblerjen e drejtësisë me para nga krimi i organizuar

Si në odat e katundit me rregullat e Kanunit, gjyqësori i dështuar është bërë treg i lirë për shitblerjen e  drejtësisë me para nga krimi i organizuar

Hajrullah Tërnava

  • 20 August 2022 - 09:04

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Situatat e krijuara gjatë procesit të gjykimeve nëpër gjykatat tona tani janë për tu habitur, sepse mënyrat e procedurave të gjyqësisë nuk ju përngjajë praktikave të gjykatave të rëndomta e normale ligjore. Gjykatat e Kosovës po ju përngjajnë odave të pajtimit në të kaluarën, dhe tani është duke u shpikur instrumenti juridik i pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarve për krim e korrupsion, si metoda më perfide e menduar mirë në bashkëveprim nga mbrojta te prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar e të shantazhuar, për të jua lehtësuar dënimet, madje deri në amnisti, për zhvatësit e buxhetit të shtetit të cilët kanë krijuar miliona duke abuzuar.

- Rastet kur mbrojtja bënë marrëveshje me Gjyqtarin e rastit dhe prokurorin, organin e akuzës, që i dyshuari ta pranon fajësinë për ta përshpejtuar procesin gjyqësor dhe lehtësuar vendimin për gjykim e shpallje të fajësisë, së fundi janë duke u shpeshtuar. Janë dhjetëra raste të muajve të fundit në të cilat po veprohet kështu gjatë këtij viti, duke u marr vesh mbrojtja me të akuzuarin dhe trupin gjykues, që i shkon për shtati secilit rrjet të krimit të organizuar në mbrojtje të mafisë, që duke bërë pazare në trekëndëshin i akuzuar, mbrojtje dhe trup gjykues ta finalizojnë rastin me shitblerje të drejtësisë. Sipas një raporti të shënuar nga monitorues të IKD-së, të enjten e kaluar është shtyrë gjykimi për korrupsion ndaj Mursel Racaj dhe Arian Buqaj, për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Buqaj, avokati ka kërkuar kohë për negocim deri në arritje të marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Pra Avokati do ta luaj ndërmjetësin e pazarit që duhet të arrihet në treshen Prokuror- Gjykatës dhe të akuzuarit, me çmimin që duhet paguar për këtë lloj shitblerje të drejtësisë. Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte bërë ricilësimin e veprës penale për të akuzuarit Racaj dhe Buqaj ashtu që tani e tutje në vend të veprës penale ‘Marrja e ryshfetit’ nga neni 421 paragrafi 3, akuzohen për veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’, neni 421 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Bashkë me ta ka qenë i akuzuar edhe Erodit Racaj por që me vendim të formës së prerë ndaj tij është hedhur aktakuza dhe është pushuar procedura penale. Avokati mbrojtës ka thënë se e kërkon shtyrjen e seancës me arsyetimin se me kualifikimin paraprak nga paragrafi 3 i nenit 421 të KPRK-së me prokurorinë kanë pasur marrëveshje për pranim të fajësisë, atëherë nën rrethanat e reja juridike të krijuara do të paraqesin sërish kërkesë për negocim të marrëveshjes për pranim të fajësisë.

E Këtë propozim nuk e kundërshtoi prokurorja e rastit Bukurije Gjonbalaj. Trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Fatime Dërmaku aprovoi këtë kërkesë duke thënë se kjo e drejtë iu njihet me nenin 233 paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale. Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 mars 2022, Mursel Racaj akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar si Drejtor për Prokurim të Veçantë në Agjencionin Qendror të Prokurimit, me qëllim që vetit t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, në mars 2021 ka kërkuar para ryshfet nga i dëmtuari Arbër Hasani, pronar i firmës ‘‘AS Securizy’’, i cili kishte aplikuar në një tender me titull Sigurimi fizik i Objekteve për Agjencionin e Pavarur në vlerë prej 409 mijë e 374 euro.

Tutje në aktakuzë thuhet se në zyrën e të akuzuarit Racaj janë takuar i pandehuri me të dëmtuarin e që në këtë takim Racaj i ka thënë të dëmtuarit Hasani ‘‘nëse e dëshiron këtë tender, duhet të mi japësh 20.000 euro -5% të vlerës së çmimit të favorshëm të tenderit’’. Po ashtu, thuhet se të njëjtit janë marrë vesh në ditën kur ta nënshkruajnë kontratën të marrë paratë, ashtu që sipas akuzës më 10 shtator 2021, rreth orë 16:00, i akuzuari në zyrën e tij në katin e 5-të, në objektin e Autoritetit Qendror të Prokurimit e ka nënshkruar kontratën dhe ka pranuar paratë ryshfet në shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Hasani, para të cilat kanë qenë të Fondit të Policisë së Kosovës dhe janë përdorur në rast. Më këtë, sipas aktakuzës i njëjtë është akuzuar për veprën penale Marrje e Ryshfetit nga neni 421, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. Ndërsa, Arian Buqaj dhe Erodit Racaj në aktakuzë akuzohen se në bashkëkryerje me dashje kanë ndihmuar Mursel Racaj, në kryerjen e veprës penale të përshkruar sipas dispozitivit të parë të kësaj aktakuze, pasi që i pandehuri paraprakisht ju ka premtuar se një pjesë të parave të marra ryshfet do t’i ndaj me Buqaj dhe djalin e tij Eroditin.

Në vazhdim, sipas akuzës, më 10 shtator 2021 rreth orës 16:00, pas pranimit të shumës prej 8 mijë euro, Mursel Racaj menjëherë ua dërgon paratë, e të cilët i kanë marrë dhe i kanë fshehur në podrumin e një banese ku edhe janë gjetur dhe sekuestruar nga ana e Policisë, para të cilat kanë qenë të Fondit të Policisë së Kosovës, të përdorura në Simulim, të pluhurosura, kështu që reagimi i pluhurit në dritën UV, është gjetur në duart dhe rrobat e të pandehurve Buqaj dhe Racaj. Me këtë, në bashkëkryerje janë akuzuar se kanë kryer veprën penale Ndihmë nga neni 33 në Kryerjen e veprës penale Marrja e Ryshfetit nga neni 421 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së. Por që, me vendim të formës së prerë, të akuzuarit Mursel Racaj dhe Arian Buqaj akuzohen për veprën penale nga neni 421 paragrafi 1 kurse ndaj të akuzuarit Erodit Racaj është hedhur aktakuza dhe është pushuar procedura ndaj tij.

Pse duhet të negociohet me të korruptuarit dhe zhvatësit e buxhetit të shtetit, pranimi i fajësisë, derisa një prokuror i aftë, i guximshëm dhe i pa varur, i pa ndikuar nga grupet e interesit, nga rrjetet e krimit të organizuar, duhet ta mbroj rastin me fakte, dhe ti kërkoj gjyqtarit administrimin e tyre besnik, për ta dhënë gjykimin në mbrojtje të interesit publik dhe zbatimin më të ashpër të masave ligjore ndëshkuese, të drejtësisë. Nëse procedurat gjyqësore nuk ju përmbahen rregullave të procedurave ligjore, atëherë devalvimi i këtyre institucioneve do të ndodhë akoma më turpshëm, prandaj vetëdijesimi i njerëzve të institucioneve të gjyqësisë duhet të jetë konfrom ligjeve dhe ta ruaj kualitetin dhe ligjshmërinë e procedurave gjyqësore të institucioneve të gjyqësorit të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".