​Haradinaj: Plaga energjetike e Kosovës nuk shërohet me këshilla nga interneti, por me vendime të mëdha

  • E.K /
  • 15 September 2022 - 12:38
​Haradinaj: Plaga energjetike e Kosovës nuk shërohet me këshilla nga interneti, por me vendime të mëdha

Përmes një shkrimi autorial kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se në shtatorin e vitit 2017, gjendja elektro-energjetike ne Kosovë, ishte katastrofike. Më e vështirë se sa që është aktualisht. Kishin shteruar rezervat e thëngjillit dhe eskavatorët nuk gërmonin më.

Haradinaj ka theksuar se, që në vitin 2014 Qeveria e Kosovës kishte marrë një vendim për shpronësimin e 54 hektarëve tokë ku gravitonin 20 shtëpi, për të hapur minierën e re, por vendimi nuk ishte realizuar asnjëherë dhe në ata 54 hektarë ishin ndërtuar gjithsej 226 shtëpi.

Plaga energjetike e Kosovës, që kullon, nuk shërohet me këshilla nga interneti, por me vendime të mëdha të Kryeministrit, ka shkruar Haradinaj.

Shkrimi i plotë:

Energjia, kjo plagë e pashërueshme e Kosovës!

Në shtatorin e vitit 2017, gjendja elektro-energjetike ne Kosovë, ishte katastrofike. Më e vështirë se sa që është aktualisht. Kishin shteruar rezervat e thëngjillit dhe eskavatorët nuk gërmonin më. Termocentralet e Kosovës nuk prodhonin rrymë e Kosova shpenzonte miliona euro duke mos prodhuar e duke e blerë rrymë.

Arsyetimi ishte se nuk ishin shpronësuar banorët në Shipitullë!!!

Në fakt që në vitin 2014 Qeveria e Kosovës kishte marrë një vendim për shpronësimin e 54 hektarëve tokë ku gravitonin 20 shtëpi, për të hapur minierën e re, por vendimi nuk ishte realizuar asnjëherë dhe në ata 54 hektarë ishin ndërtuar gjithsej 226 shtëpi. Kishin mbirë si kërpudhat pas shiu, natyrisht kjo edhe sepse aty i kishin futur duart grupe të ndryshme interesi, që nga vet pushteti i atëhershëm e deri te tuxharët e energjisë.

Kosova nuk prodhonte rrymë e Banka Botërore kërcënonte se do të tërhiqej nga çdo lloj investimi në sektorin e energjisë.

Kjo ishte gjendja që unë e kisha trashëguar me ta marrë detyrën e Kryeministrit.

Duke qenë se situata ishte e rëndë e Kosova po hynte në dimër, pata kaluar javë të tëra në KEK e me banorët e zonës, në kërkim të një zgjidhjeje.

Në një raport të Bankës Botërore thuhej se nëse Kosova nuk do të bënte një zgjidhje të shpejtë do të detyrohej të paguante mbi 150 milionë euro për blerje të energjisë, ndërkaq parallogaria e shpronësimit ishte 20 milionë.

Kështu duke analizuar përfitimet e rreziqet, vendimi im i parë si Kryeministër ishte që të shpronësoheshin banorët, që KEK-u të rikthehej në prodhim me mbi 900 megavatë, që të mos shtrenjtohej rryma dhe që Kosova t’i shpëtonte rreth 150 milionë euro.

(Kosova Sot Online)