Analisti politik serb: Sanksionet kundër Rusisë, nënkuptojnë humbjen e Kosovës

  • E.K /
  • 11 October 2022 - 13:13
Analisti politik serb: Sanksionet kundër Rusisë, nënkuptojnë humbjen e Kosovës

Analisti politik serb, Cvijetin Milivojeviq, mendon se vendosja e sanksioneve nga ana e Serbisë ndaj Rusisë do të nënkuptonte humbjen e Kosovës.

Kjo pasi, siç aludon ai, kështu do të humbiste mbështetja ruse dhe se pa zërin e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së Serbia do të ishte e pafuqishme.

Duke folur për luftën në Ukrainë, në televizionin serb N1, ai thotë se ajo ndikon në situatën e brendshme politike të Serbisë, si dhe në politikën e jashtme të saj.

“Rusia ka kryer agresion ndaj Ukrainës së pavarur, ashtu si 27 vende të NATO-s kanë kryer agresion ndaj Serbisë. Së pari, aneksoi Krimenë, pastaj këto katër zona, kurse SHBA-ja dhe një grup vendesh të NATO-s pushtuan Kosovën. Shqiptarët nuk u shkëputën. Atje hyri de fakto okupatori, okupatori i NATO-s, e shkëputi Kosovën nga Serbia dhe tha: ‘Kjo nuk është më Serbi’”, tha ai.

Ai kujtoi gjithashtu se ashtu si gjatë bombardimeve në vitin 1999, edhe në Ukrainë janë vënë në shënjestër linjat e energjisë elektrike, se rajone të mëdha mbetën pa energji elektrike dhe se të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për terrorizëm.

“Gjërat po lëvizin në front dhe po ekspozohet hipokrizia e plotë. Dhe në atë lojë, nga këndvështrimi i Serbisë, Serbia fiton disa mundësi të reja. Këtë herë ajo mund të tregojë shembullin e saj. Nuk është më ‘sui generis’. ajo që thanë amerikanët: ‘Kosova është sui generis’, gjithçka që vlen në të drejtën ndërkombëtare nuk vlen këtu, sepse ne themi – ‘sui generis’. Është kjo në rregull? Epo, nuk është në rregull”, tha Milivojeviqi.

Duke folur për non-paperin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, të dorëzuar nga Franca dhe Gjermania, ai tha se nga Serbia “po pritet t’ia presë vetes këmbën”.

“Ka diçka të re në atë non-paper. Krahas gjithë kësaj, thuhet edhe se Serbia pritet ta presë vetë këmbën, pra të heqë 17 për qind të territorit të saj. Dhe më lejoni t’ju kujtoj, asnjë vend i Bashkimit Evropian nuk ka hequr dorë qoftë edhe një metër të territorit të tij, kroatët kanë mbrojtur disa kilometra katrorë ajër rreth Piranit. Por, për herë të parë ka pasur një ofertë nga BE-ja, nga dy prej liderëve më të fortë, se do të kemi një integrim të përshpejtuar. Kjo është diçka e re dhe nuk e kemi dëgjuar më parë. Ka të bëjë me atë që po ndodh në Ukrainë”, thotë Milivojeviqi.

I pyetur se pse e lidh vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe “heqjen dorë nga territori”, ai përgjigjet: “Dëmi më i padurueshëm është të ngelet pa 17 për qind të territorit. Unë nuk jam nga ata që thonë ‘Kosova është zemra e Serbisë’, por është një territor që ka diçka. Sipas Bankës Botërore, ka depozita xehe me vlerë disa qindra miliardë euro. Është 51 për qind e tokës që u përket shtetit të Serbisë, Kishës Ortodokse Serbe, qytetarëve të Serbisë, serbëve dhe shqiptarëve, ndërmarrjeve shoqërore dhe shtetërore etj. Nëse do ta kthenit në para, vlen qindra e qindra miliarda euro”, theksoi ai.

Duke folur për investimet gjermane në Serbi, ai theksoi se “ato kanë ardhur sepse në Gjermani askush nuk do të punonte për ato para”. Ai po ashtu ka deklaruar se këto janë kryesisht fabrika ku “zhvishen kabllot”, duke thënë se ka disa “përjashtime”.

“Dhe kanë ardhur për një arsye tjetër, sepse Serbia është oaza e fundit në Evropë që ofron edhe subvencione shtetërore për ato kompani që vijnë këtu. A besoni se nga Serbia do të ikin zhveshësit e kabllove për të ndëshkuar Serbinë? Dhe si do të krahasohej ai dënim me humbjen e Kosovës”, pyeti ai.

Duke komentuar deklaratën e liderit të opozitës në Serbi, Dragan Gjilas, se mbron vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe mosnjohjen e Kosovës në OKB, ai tha: “Nuk ka ruajtje të Kosovës në Serbi pa zë rus në Këshillin e Sigurimit”.

Milivojeviqi beson se vendosja e sanksioneve kundër Rusisë “nuk do të ishte një futje e thjeshtë e sanksioneve”.

“Duke vendosur sanksione, ju qëndroni në anën tjetër të luftës. Nëse Serbia është ushtarakisht neutrale, ajo nuk duhet të anojë as me rusët, as me NATO-n. Futja e sanksioneve është një hyrje e drejtpërdrejtë në luftë, sepse NATO-ja është në luftë edhe në Ukrainë. Prandaj, ne rreshtohemi drejtpërdrejt në njërën anë… Tetëdhjetë e ca për qind e qytetarëve serbë janë kundër vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, sepse e dinë se me vendosjen e sanksioneve do të mbetemi pa Kosovën. Më shumë se 80 për qind e qytetarëve janë kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, nëse kushti për këtë është heqja dorë nga Kosova. Dhe nëse jo, dy të tretat janë pro anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, nënvizoi Milivojeviqi.

Ai ka theksuar se për shkak të kompetencave jashtëzakonisht modeste të parapara me Kushtetutën e Serbisë, “Aeksandar Vuçiqi nuk mund të marrë vendime qenësore për Kosovën”. Kjo, shton ai, mund të diskutohet nga Kuvendi me propozim të Qeverisë së Serbisë.

“Epo, meqë është çështje identiteti, sa i përket Serbisë, [çështja] shkon në referendum. Për këtë mund të vendosin vetëm qytetarët”, nënvizon bashkëbiseduesi N1.

Ajo gjithashtu thotë se vendimi për Kosovën do të kishte pasoja të mëdha.

“Nuk është çështja nëse do të nënshkruajmë marrëveshje me rusët apo me amerikanët për bashkëpunim, por pyetja është – deri ku është Serbia? Vendime të tilla nuk mund të merren nga Vuçiqi. Dhe ai nuk ka të drejtë. Prandaj them se do të ishte një tentativë për grusht shteti. Bëhet fjalë për faktin se dikush po përpiqet të kuptojë jo vullnetin e zakonshëm politik të qytetarëve, por cili është identiteti i shtetit të Serbisë. Dhe identiteti i shtetit të Serbisë është si vijon: ‘Serbia nga Horgoshi në Dragash’. Kështu thuhet në Kushtetutë dhe të gjithë fituan zgjedhjet mbi atë platformë që nga vitet 1990”, tha Milivojeviqi.

I pyetur nëse marrëdhëniet do të ndryshonin nëse Bashkimi Evropian do të ofronte ndihmë financiare në këmbim të njohjes së Kosovës, ai u përgjigj me një kundërpyetje: “A janë më shumë para sesa që kemi nëse Kosova mbetet në Serbi?”.

“Ne e dimë shumë mirë se sa vlen pasuria materiale në Kosovë. Por ne nuk e dimë sa vlen një pëllumb në një degë”, tha Milivojeviqi dhe shtoi se “nëse Vuçiqi ka pak guxim, nuk do ta shikojë as atë letër (non-paper të ofruar nga Gjermania dhe Franca)”.

Ai thotë se “e ardhmja e Ukrainës dhe Kosovës nuk varet nga Scholzi ose Macroni, ose britanikët, por varet ekskluzivisht dhe vetëm nga Washingtoni dhe Moska”.

“Nëse vërtet e dëshironi Serbinë në Bashkimin Evropian, nëse e doni Serbinë në anën e Perëndimit, qoftë edhe simbolikisht, atëherë Serbisë duhet t’i ofrohen kushte që duken si një kompromis. Kompromisi duhet të kapërcejë bindjen e dikujt se ka fituar dhe realitetin se ka humbur diçka”, përfundoi analisti politik serb, Cvijetin Milivojeviq.

(Kosova Sot Online)