BE skanon ekonominë, defektet e saj i lidhë me korrupsionin, sundimin e ligjit dhe cilësinë e arsimit

  • 13 October 2022 - 13:08
BE skanon ekonominë, defektet e saj i lidhë me korrupsionin, sundimin e ligjit dhe cilësinë e arsimit

Raporti i Bashkimit Evropian për Kosovën tregon se vendi ka shënuar një progres ekonomik, por megjithatë pengesat janë të shumta, sidomos korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit.

Rritja ekonomike për vitin 2021, sipas raportit ishte 10.5 për qind. Por kjo rritje është në krahasim me vitin 2020, ku 1/3 e tij ishte bllokadë e plotë për shkak të pandemisë COVID-19, atë vit Kosova kishte shënuar ulje ekonomike prej 5.3 për qind.

“Flukset hyrëse financiare nga diaspora çuan në një rikthim shumë të fortë ekonomik në vitin 2021”, thuhet në Raportin e Progresit.

Raporti prej 132 faqesh pasqyron gjendjen e segmenteve të ndryshme në Kosovë, përfshirë edhe korrupsionin që po ndikon në ekonomi.

Problem mbetet edhe ekonomia joformale që ndikon negativisht edhe në sferën e politikave tatimore. Por gjatë vitit 2021 ka pasur shtim të të ardhurave tatimore

“Rimëkëmbja ekonomike rezultoi në një rritje të fortë të të ardhurave tatimore dhe një deficit të ulët publik në 2021. I nxitur nga rritja e çmimeve të mallrave, inflacioni u rrit ndjeshëm. ”, thuhet tutje në raport.

Raporti i sugjeron Qeverisë mbështetjen të përdor masa mbështetëse aty ku është e nevojshme, rrjedhimisht të planifikohet kthimi i kufirit të deficitit prej 2 për qind.

Po ashtu kërkohet edhe një rishikim i sigurimeve shoqërore, duke përfshirë edhe numrin e veteranëve.

“Përmirësimi i cilësisë së shpenzimeve publike duke reformuar sistemin e pagave publike dhe adresimi i pengesave në menaxhimin e investimeve kapitale”, është sugjerimi tjetër i Bashkimit Evropian.

Ndërkaq kërkohet edhe mbështetja e biznesit dhe punësimit.

Raportin tregon për një punësim të ulët të grave krahasuar me burrat. Po ashtu gjatë vitit 2021 thuhet se pagat nominale janë rritur për 3.9.

Edhe investime direkte të huaja ka më shumë prej 4 për qind në vitin 2021.

Por Qeveria  ka shpenzuar më tepër sesa ka të hyra, kjo në normën prej -1.3 për qind.

“Politikat ekonomike të Kosovës u fokusuan në ofrimin e mbështetjes së politikave për të zbutur ndikimin e pandemisë dhe çmimet e larta të energjisë për familjet dhe firmat më të prekura, por ka pasur pak progres me reformat strukturore”, thotë raporti, duke përmendur edhe energjinë.

Progresi në fushwn e energjisë për Kosovën është shumë i kufizuar, thotë raporti.

Tregon se janë bërë investime në efiçencën energjetike të ndërtesave publike.

Kosova mbetet shumë e varur nga qymyri, i cili përveç që është një burim dominues gazrave serrë, shkaktojnë rreziqe serioze për shëndetin dhe mjedisin”, thuhet në raportin e BE-së.

Vendi është në një krizë energjetike dhe një dimër i vështirë është paralajmëruar. Megjithatë, BE-ja sugjeron që Kosova politikën e saj energjetike duhet ta ketë të drejtuar kah kujdesi mjedisor.

“Vazhdimi i përmirësimit mjedisor të termocentralit Kosova B dhe punimeve për dekomisionimin e pjesëve jofunksionale të termocentralit Kosova A”.

“Vazhdimi i shpërndarjes së fondit të efiçiencës së energjisë dhe shtrirja e tij në ndërtesat e banimit dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, është një tjetër sugjerim.

Energjia është problem serioz në ngecjen e ndërmarrjeve private kosovare për të konkurruar me ato të Bashkimit Evropian (BE).

“I kufizuar” është progresi i Kosovës në konkurueshmërinë e fajet për këtë pos energjisë i ka edhe arsimi, thotë raporti.

Kjo pasi shkathtësitë e forcës punëtore shpesh nuk përputhen me tregun e punës.

Megjithatë ka progres në digjitalizimin e ekonomisë, por përparimi mbetet i ulët pasi Kosova ka firma të vogla që s’munden dot të konkurrojnë ndërkombëtarisht.

Në këto drejtime, BE-ja si sugjerim bazë e ka përmirësimin e cilësisë në arsim. Si dhe forcimin e sigurisë energjetike.

“Rritja e pjesës së burimeve të rinovueshme në prodhimin e energjisë elektrike në një mënyrë me kosto efikase dhe avanconi mbështetje financiare dhe jofinanciare të përshtatur për NVM-të për të përmirësuar ato konkurrencën dhe kapacitetin eksportues”.

Kur flitet për eksportin tregohet se 99 për qind e kompanive kosovare që regjistrohen punësojnë deri në 9 punëtorë. Me këto kapacitete s’mund dot të jesh konkurrues në tregun mbi nacional – e thotë raporti.

Tutje, aty jepet një tabelë se tregon sa e varur është Kosova nga importet e vendeve të BE-së dhe të CEFTA’s.

E për mos-zhvillimin biznesor në Kosovë, pra fakti që vetëm 1 për e bizneseve kanë 10 deri në 249 të punësuar, si pengesë theksohet edhe vështirësitë e qasjes në financa – i referohet sistemit bankar.

“Edhe pse rritja e kredisë ka qenë e fortë gjatë dekadës së fundit, për shkak të kërkesave të rrepta të bankës për kredi që kanë ndikuar më së shumti sipërmarrjet e vogla, aksesi në financa mbetet ende një pengesë për rritjen. Pengesat e mëtejshme për qasja në financa lidhet me një akses të kufizuar në informacion të besueshëm në kadastër, mungesë formale proceset e mosmarrëveshjeve dhe zbatimi i kufizuar i ekzekutimit të kolateralit. Duke pasur parasysh strukturën dhe vështirësitë në aksesin në financa, përfitimi nga ekonomitë e shkallës mbetet i kufizuar”.

Si konkluzione të zhvillimit ekonomik po kërkohet nga Qeveria që ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, ta fuqizojë sundimin e ligjit, të ndikojë në sigurinë energjetike e të punojë në rritjen e cilësisë në arsim.

Po ashtu kërkohet edhe mbështetje për grupet e cenueshme.

E për t’i bërë këto investime duhet buxhet, të cilat kryesisht mblidhen nga politikat tatimore. Rrjedhimisht thuhet se Kosova  e ka bërë një përparim në politikat tatimore, megjithatë kërkohet rritje e inspektimeve tatimore.

Raporti sugjeron monitorim për ta luftuar ekonominë joformale si dhe për ta penguar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

“Kosova të sigurojë zbatimin më sistematik të kontrolleve tatimore të bazuara në rrezik dhe të vazhdojë zbatimin e strategjisë për luftimin e ekonomisë informale, pastrimit të parave”, thuhet në raport, fq 95.

Ekonomia konsiderohet një nga motivet pse kosovarët në masë të madhe po emigrojnë.

Kjo pasi ekonomia e determinon edhe punësimin, mirëqenien dhe në një formë edhe arsimin dhe shëndetësisë.

(Kosova Sot Online)