“Njohja më vonë”, BE do ta shkruajë vetë tekstin e marrëveshjes Kosovë-Serbi

  • E.K /
  • 20 October 2022 - 14:24
“Njohja më vonë”, BE do ta shkruajë vetë tekstin e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Bashkimi Europian i ka ikur gjithmonë fjalës njohje kur ka folur për dialogun Kosovë-Serbi. Duke qenë në një pozicion “neutral” për shkak se 5 vende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe për t’u dukur si “ndërmejtës i ndershëm” karshi Serbisë, Brukseli ka preferuar të flas për normalizim marrëdhëniesh. Pikërisht për këtë, duket se edhe SHBA do t’ia besojë unionit ta shkruaj marrëveshjen Kosovë-Serbi. Indikacioniet për këtë i dha Gabriel Escobar, emisari i SHBA’së për Ballkanin dhe bisedimet Kosovë-Serbi.

SHBA-ja u zhgënjye shumë nga (mos)angazhimi i Kosovës dhe Serbisë në dialog këtë verë. Kjo ka bërë që tash, shteti më i fuqishëm në botë ta mbështes një marrëveshje që do të mund të dizajnohet jo më nga palët, por nga Bashkimi Europian.

Për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vendosin palët. Ky ishte qëndrimi i të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar deri ditët e fundit. Të mërkurën ai qëndroi në Kosovë dhe tha se ka shumë mundësi që BE-ja t’i fus duart në përgatitjen e një marrëveshjeje që ndërkombëtarët pritet ta nënshkruajnë brenda javësh.

“Pozicioni ynë është që marrëveshja finale duhet të jetë një udhërrëfyes për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe paqësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Elementet e një marrëveshjeje të tillë varen nga vetë palët”, tha Escobar të mërkurën në Kanal 10, për të treguar më pas se tani gjërat kanë ndryshuar.

“Deri më tash, çdo fjalë e marrëveshjeve është shkruar nga Serbia dhe Kosova, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe mbështetur nga SHBA-ja. Është shumë e mundshme që Europa (BE) do të nisë të kontribuojë në atë se si duhet të duket kjo marrëveshje”, theksoi ai.

Tashmë ka një konfirmim se BE-ja (Gjermania dhe Franca), e kanë bërë gati dhe ua kanë dhënë palëve një propozim për marrëveshjen që kërkojnë të nënshkruhet shpejt.

“Ka një momentum të ri në dialog dhe besoj se si Kosova, ashtu edhe Serbia, duhet ta shfrytëzojnë këtë rast, sidomos pas asaj që po ndodh në pjesën tjetër të kontinentit”, tha Escobar.

Tash, SHBA-ja kërkon që të mos flitet më për targa e letërnjoftime, por për “gjëra më të mëdha me të cilat po ballafaqohemi”.

“Ne ishim shumë të zhgënjyer me rezultatet e para të diskutimeve në Bruksel në korrik dhe duam ta shmangim përsëritjen e një momenti të tillë. Ajo që ne nuk duam, është që përkushtimi i emisarëve specialë, duke më përfshirë mua, të drejtohet kah zgjidhja e problemeve dhe menaxhimi i krizave”, theksoi Escobar.

Diplomati amerikan shpreson që nuk do të jetë e nevojshme të hyjë edhe ai në sallën ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pritet që shumë shpejt të ulen përballë njëri-tjetrit për ta nënshkruar një marrëveshje.

SHBA-ja s’do ta shkruajë marrëveshjen, por Escobar tha se tani Amerika e mbështet plotësisht propozimin e Gjermanisë dhe Francës, duke shtuar se “do të sigurohemi që çkado që del nga kjo nuk do ta prekë pavarësinë, sovranitetin dhe funksionalitetin e pavarësisë së Kosovës”.

Escobar i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të marrin seriozisht çkado që Gjermania dhe Franca propozojnë në dialog, duke bërë të ditur se ajo mund të konsiderohet edhe si opinion i SHBA-së.

Diplomati amerikan nënvizoi se njohja reciproke “do të ndodhë”, por “në një fazë më vonë”.

(Kosova Sot Online)