LDK pas shkarkimit të Sahitit: Vendim i ndikuar nga partia në pushtet

  • A.P /
  • 21 October 2022 - 18:48
LDK pas shkarkimit të Sahitit: Vendim i ndikuar nga partia në pushtet

Pas shkarkimit të rektorit të UP-së, Naim Sahiti ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës duke e quajtur këtë vendim ndërhyrje të pushtetit në Universitetin e Prishtinës.

LDK ka thënë se nën ndikimin e partisë në pushtet është marrë vendimi nga Këshilli Drejtues i UP-së për shkarkimin e rektorit.

“Nën ndikimin e partisë në pushtet, Këshilli Drejtues i Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina e shkarkoi sot rektorin i këtij universiteti, Prof. dr. Naser Sahitin. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës kjo është ndërhyrje e papranueshme e politikës në institucionet arsimore. Këtij akti të papranueshëm e të dëmshëm për arsimin i ka paraprirë kapja e Këshillit Drejtues të UP-së nga partia në pushtet përmes përzgjedhjes së kandidatëve me kriter partiak-klientelist e me integritet të kontestuar”, thuhet në reagim.

Sipas LDK-së, Këshilli Drejtues i UP-së ekzekutoi sot sheshazi kërkesën politike të Qeverisë për të instaluar rektor të dëgjueshëm të pushtetit në UP.

“Efektet e ushtrimit të ndikimit dhe të kontrollit nga pushteti në arsimin e lartë dëmtojnë rëndë cilësinë dhe funksionimin institucional. Dija, hulumtimi shkencor dhe studimi në universitet janë jetike për zhvillimin e arsimit, ndaj çdo ndërhyrje politike në këtë institucion të rëndësishëm është i pafalshëm. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se respektimi i autonomisë së universitetit është kusht për të siguruar integritetin dhe cilësinë e arsimit të lartë”, thuhet në fund.


(Kosova Sot Online)