Eksperti rus shokon me deklaratat: Kemi nënvlerësuar armikun, tetë muaj dhe akoma nuk po arrijmë të fitojmë

  • E.K /
  • 26 October 2022 - 13:57
Eksperti rus shokon me deklaratat: Kemi nënvlerësuar armikun, tetë muaj dhe akoma nuk po arrijmë të fitojmë

Në televizionin publik rus gjatë të hënës mbrëma gjatë një debati politik, analistët kanë pranuar për herë të parë se pushtimi rus në Ukrainë nuk po shkon sipas planit, dhe se rrëfimet e rusëve për “bombën e pistë” të ukrainasve, janë thjesht trillime.

Victor Olevich, ekspert i politikës së jashtme foli pa “doreza”, duke nxitur një situatë të pakëndshme tek të ftuarit e tjerë, dhe në veçanti te prezantuesi Andrei Norkin.

Olevich në Rusi prezantohet si “eksperti më i madh për Amerikë”, i cili thuhet se ka përfunduar studimet në SHBA, por që jeton dhe punon në Moskë.

“Situata është e tillë. Kemi filluar operacionin special ushtarak, kemi nënvlerësuar armikun dhe pas tetë muajve nuk po arrijmë të fitojmë.

Në anën tjetër, vazhdimisht ankohemi për vendet që duan ta shkatërrojnë Rusinë”, tha Olevich, duke nxitur moderatorin të ndërhyjë: “nuk po ankohemi, por jemi të zemëruar me ta”.

“Mund të zemërohemi sa të duam, por kjo nuk do të zgjidhë problemet tona”, iu kundërpërgjigj Olevich moderatorit.

Pas kësaj u hap tema për informacionet se Ukraina po tenton të përdorë bombën e pistë.

“Cilat janë informacionet e vërteta për këtë bombë? Ku janë, ku po planifikohen të përdoren. Nuk e kuptojë pse flasim për këtë. Ku janë faktet?

Provokime të tilla nuk vijnë pa urdhrin e dikujt.

Nëse Rusia ka çfarë do lloj informacioni për bombën e pistë, le të na i tregojë”, këmbënguli Olevich.

(Kosova Sot Online)