Po paralajmërohen dy variante të reja të Covid -19 në Kosovë: Mund të rriten rastet në javët në vijim

  • E.K /
  • 26 October 2022 - 13:49
Po paralajmërohen dy variante të reja të Covid -19 në Kosovë: Mund të rriten rastet në javët në vijim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë thirrje për vaksinim dhe zbatim të masave të tjera preventive kundër sëmundjeve ngjitëse. Paralajmërimi i IKSHPK-së vjen pasi ECDC paralajmëroi se këto variante mund të rrisin ndjeshëm numrin e rasteve me Covid-19.

“Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia ende nuk ka mbaruar. Sipas vlerësimit të fundit në SHBA, del se BQ.1 dhe BQ.1.1 janë të lidhur ngushtë dhe përbëjnë 16.6% të varianteve të koronavirusit në vend, vlerë kjo e cila gati është dyfishuar nga java e kaluar, pëderisa Evropa pret që ato të bëhen variantet dominuese brenda muajit të ardhshëm. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve tha se këto variante mund të rrisin numrin e rasteve në javët dhe muajt e ardhshëm në rajonin evropian”, thuhet në paralajmërimin e IKSHPK-së, të shpërndarë.

Sipas IKSHPK-së, këto dy lloje variantesh kanë ashpërsi më të shtuar të sëmundjes, ndryshe nga variantet e tjera dominuese të mëhershme.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë këtë javë tha se BQ.1.1 po qarkullon në të paktën 29 vende. CDC e SHBA ka konfirmuar se BQ.1 dhe BQ.1.1 javën e kaluar u vlerësua se përbën 9.4% të varianteve qarkulluese”, vijon më tej njoftimi i IKSHPK-së.

“MSh dhe IKSHPK  rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të  vaksinohen kundër COVID-19”, përfundon njoftimi. 

(Kosova Sot Online)