E rëndë: Burri i dehur në Prishtinë sulmon babain e moshuar, e gjithë familja në hall nga ai

  • E.K /
  • 27 October 2022 - 12:35
E rëndë: Burri i dehur në Prishtinë sulmon babain e moshuar, e gjithë familja në hall nga ai

Konsumimi i tepërt i alkoolit është ndër shkaktarët më të mëdhenj të dhunës në familje. E nuk janë të rralla rastet kur viktima të dhunës janë prindërit, të cilët dhunohen fizikisht e psiqikisht nga fëmijët e tyre.

Një rast i rëndë ka ndodhur dje pasdite në një familje në rrugën  ‘Riçard Hollbruk’ në lagjen Veternik të Prishtinës, ku një burrë dyshohet se në gjendje të dehur ka sulmuar babain e tij të moshuar.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes tyre, me ç’rast 39-vjeçari dyshohet se e ka shtyrë dhe e ka rrëzuar në tokë babain e tij. 75-vjeçari si pasojë e kësaj ka marrë lëndime trupore, për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.

Në cilësinë e dëshmitarit është intervistuar edhe djali tjetër i të moshuarit, i cili ka deklaruar se e gjithë familja është në hall nga dhuna psikike e vazhdueshme e të dyshuarit. Sipas tij, 39-vjeçari në gjendje të dehur pas mesnate ka ushtruar dhunë psikike ndaj babait të tyre.

I dyshuari është arritur që të arrestohet dhe i njëjti u shoqërua në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.

Me urdhër të prokurorit, atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

(Kosova Sot Online)