Daçiq e nis një fushtë të re kundër Kosovës

  • S.A /
  • 31 October 2022 - 12:50
Daçiq e nis një fushtë të re kundër Kosovës

Me t’u rikthyer në funksionin e kryediplomatit serb, Ivica Daçiq, ka filluar fushatën e tij për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, aty ku e kishte lënë. Daçiç, i ftuar në emisionin e mëngjesit në televizionin serb Happy, ka deklaruar se tashmë ka strukturë të re në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe një pretendim eventual i Kosovës për anëtarësim mund të shkojë fare keq, meqë shumë pak shtetet do të votonin pro.

“Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, nga 193 anëtarë, Kosova nuk mund të marrë më shumë se 83 vota”, tha Daçiç dhe shtoi se ai tashmë e ka të garantuar që edhe shtete që e kanë njohur Kosovën nuk do votojnë për Kosovën”.

“Po ashtu, ka vende që ndryshojnë pozicionin e tyre çdo gjashtë muaj”, shtoi ai.

“Por ata (Kosova) nuk kanë më një shumicë në OKB, dhe në të njëjtën kohë një vendim i tillë (për anëtarësimin në OKB) duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit, dhe kjo është arsyeja pse qëndrimi i Rusisë dhe Kinës është shumë e rëndësishme për ne, në mënyrë që ata të mund të vënë veton”, tha Daçiq.

Duke folur për propozimin e ri për marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, ish-kryetari i Parlamentit serb shtoi se “nuk kemi marrë asnjë propozim që do të ishte bazë për bisedë”.

Daçiq para dy mandatesh ishte Ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, dhe nga atëherë kishte filluar një fushatë lobuese jo vetëm të vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, por edhe te ato që tashmë e kanë njohur, që të ndryshojnë qëndrim.

Shifra të sakta asnjëherë nuk janë dhënë, mirëpo pretendimet e Daçiç-it janë se ka bërë që dhjetëra vende ta tërheqin njohjen, kryesisht vende afrikane.

(Kosova Sot Online )