Ministri serb i mbrojtjes: Më mirë të flasim 1000 ditë e orë, se të kalojmë një orë në luftë

  • E.K /
  • 21 November 2022 - 14:46
Ministri serb i mbrojtjes: Më mirë të flasim 1000 ditë e orë, se të kalojmë një orë në luftë

Ministri i mbrojtjes së Serbisë, Milos Vuceviq, ka thënë se nëse presidenti serb, Aleksander Vuçiq urdhëron, ushtria të ndërmarrë të gjitha masat të mbrojë serbët në Kosovë e Metohi, përcjell "Kosova Sot Online".

Tutje, Vuceviq ka shtuar se është mirë që të negociohet me ditë dhe orë të tëra se sa të ketë një orë luftë.

“Nuk jam optimist. Ne e prisnin ditën e fundit para se Prishtina të niste të gjobitjen për tabelat. Çfarë do të thoshte shtyrje e vendimit të Prishtinës? Ne do të mendonim se jemi lehtësuar pak, por nëse ne si Serbi do të pranonim që kjo të shtyhej për 10 muaj, e që pas tyre të zbatohej, kjo s’është sukses/ Ajo që do të duhej të bëhej është që të anulohet vendimi i Prishtinës për 10 muaj që në ndërkohë të gjendej zgjidhja e pranueshme për të dy palët. Situata është jashtë zakonisht e rëndë për ne” tha ministri serb dhe shtoi se askush nuk dëshiron eskalimin në terren por shtoi si zakonisht zyrtarët serbë se ‘nga një njeri si Albin Kurti gjithçka mund të pritet”.

“Nëse presidenti i Serbisë urdhëron, ushtria të ndërmarrë të gjitha masat të mbrojë serbët në Kosovë e Metohi. Nuk di çfarë mund t’iu them tjetër, përveç nëse dëshironi të përsëritet një Oluja e re. Apo mendoni se ne në Novi Sad e Beograd do të duhej të tërhiqeshim në kafene dhe të shikonim kampionatin botëror të futbollit në rahati. Këta që trimërohen nëpër kafene dhe thonë se duhet të luftojmë me çdo gotë që e qojnë, do t’iu dilte pija diku afër Kurshumlisë e do të ia mbathnin rikverc” tha Vucevic duke tallur opozitën serbe.

“Mendoj se është më mirë që 1000 ditë e orë të flasim dhe t’i shikojmë fytyrat e ngrysura të negociatorëve, se të kalojmë një orë në luftë. Hapësira jonë e manovrimit është shumë e ngushtë, por do të ishte mirë që nga Serbia të mos kërkohet t’i zbulojë të gjitha kartat e veta paraprakisht e të mos tregojmë se çfarë do të bëjmë  në secilën rrethanë. Të mos tregojmë se kemi skenarë të caktuar për planin A, B, C dhe të tjerë. Po i konsiderojmë të gjitha opsionet  por po punojmë që dialogu të vazhdojnë. Mendoj se askush nuk dëshiron konflikt” tha Vucevic.

(Kosova Sot Online)