"S’ka marrëveshje tjera pa e zgjidhur çështjen e të drejtave kolektive të serbëve"

  • E.K /
  • 02 December 2022 - 10:29

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka kuptuar se çështja e së ardhmes së serbëve në Kosovë duhet të jetë prioritet absolut.

“Ai do të duhet të flasë me negociatorët në Europë dhe amerikanët. BE-ja i kanë thënë qartë se duhet të zgjidhë çështjen e të drejtave kolektive të serbëve në Kosovë. Jini të sigurt se nuk do të ketë marrëveshje të mëtejshme derisa ta zgjidhim këtë çështje”, tha Hill.

Hill po ashtu ka folur edhe për  marrëveshjen e arritur së fundmi për targat në Bruksel. Ai thotë se në fakt BE-ja donte të shtynte afatin me dy ditë për të zgjidhur çështjen.

“Bashkimi Europian dhe SHBA e ngritën këtë pyetje dhe në fund Kurti vendosi t’i shtojë disa ditë këtij afati”, tha Hill.

“Shqiptarët në Kosovë duan të shohin se sa hapësirë ​​kanë për ndërkombëtarizimin e çështjeve të tyre, por serbët kanë jetuar atje me shekuj dhe Serbia dëshiron të shohë se çfarë të ardhme do të kenë dhe kjo bie nën Asociacionin. Shumë gjëra duhet të zgjidhen, para se të arrijmë një qasje më të normalizuar”, tha Hill mbrëmë në një intervistë për TV Insajderi në Serbi.

(Kosova Sot Online)