Osmani: Në territorin e Kosovës s’do të ketë kurrë më policë e ushtarë të Serbisë

  • E.K /
  • 09 December 2022 - 13:33
Osmani: Në territorin e Kosovës s’do të ketë kurrë më policë e ushtarë të Serbisë

Zyrtarë të lartë serbë kanë kërcënuar se Serbia do t’i kthejë 1 mijë ushtarë në Kosovë duke u thirrur në Rezolutën 1244.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në territorin e Kosovës s’do të ketë kurrë më as policë e as ushtarë të Serbisë, transmeton "Kosova Sot Online".

"Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë", ka shkruar Osmani.

Reagimi i plotë:

Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999.

Plagosja e mbrëmshme e një pjesëtari të Policisë së Kosovës është veprim kriminal dhe i orientuar kundër rendit kushtetues e sovranitetit të Kosovës si dhe  kundër veprimeve për sundim të rendit e ligjit. Gjithashtu, sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë cenim flagrant të të drejtës për informim të lirë.

Autorët e këtyre krimeve, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërkaq institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë.

Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë!

(Kosova Sot Online)