Ja çfarë sjell viti 2023 në marrëdhëniet Kosovë-Serbi

  • a.p /
  • 30 December 2022 - 23:04
Ja çfarë sjell viti 2023 në marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Tensioni dhe mosbesimi mes palëve mbeten por përshkallëzimi i gjendjes u shmang. Kështu mbyllet ky vit në Kosovë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Igor Novakoviq, drejtori i Qendrës së Beogradit për Çështje Ndërkombëtare dhe Siguri (Fondi ISAC), nuk është optimist sikurse  është ndërmjetësuesi evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, se një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës mund të arrihet vitin e ardhshëm.

 “Ata kanë bërë një propozim franko-gjerman që u mor nga Bashkimi Evropian, por për të arritur diçka kërkohet një angazhim shumë më i madh i BE-së në terren. Për vite me radhë ata nuk e shihnin veten si një aktor kyç gjeopolitik, por një aktor që duhet të angazhohej”, thotë ai.

E re, sipas Novakoviqit, është deklarata e të dërguarit të posaçëm amerikan për dialog, Gabriel Escobar, i cili njoftoi se SHBA-ja do të marrë përsipër formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe se, me ose pa qeverinë e Kosovës, do të bëjë një propozim se si duhet të duket ajo. “Escobar tha se ata planifikojnë të fillojnë bisedimet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në prill dhe kjo tregon se afatet janë shumë fleksibël,” thotë Novakoviq.

Në të njëjtën kohë, ai rikujton se marrëveshja e vitit 2013 është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës: “Ratifikimi do të thotë se këto dispozita janë bërë pjesë e sistemit juridik të Kosovës dhe se kanë fuqi më të fortë se ligjet vendore”. Me fjalë të tjera, ekzistojnë të gjitha parakushtet, pavarësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të caktuara. Problemi këtu, megjithatë, është se elita politike në Prishtinë e ka demonizuar këtë bashkësi aq shumë sa që ata thjesht nuk mund të tërhiqen. Ajo që kam frikë është se procesi amerikan rreth Asociacionit nuk do të zbatohet në terren”, thotë Novakoviq.

Mirëpo, Novakoviq e sheh vijën e kuqe të Beogradit pikërisht në një skenar të tillë: “Ajo ku unë mendoj se Beogradi nuk do të dorëzohet është çështja e formimit të Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”. Nuk do të flitet për negociata të reja derisa nuk përmbushet ajo që tashmë është rënë dakord”.

Novakoviq pret që Serbia t’i përgjigjet pozitivisht një ftese për bisedime: “Vuçiq dhe Daçiq thanë se sigurisht që nuk e duan Kosovën në OKB dhe se çështje të tjera mund të negociohen”. Ajo që unë sigurisht pres është që Serbia të mos refuzojë ftesën për bisedime. Ata nuk do ta refuzojnë ftesën dhe do të jenë të gatshëm për një lloj kompromisi”.

Ajo që Novakoviq nuk pret është realizimi i kërkesave të disa partive opozitare në Serbi për kalimin e dialogut nga BE në OKB. “Dialogu nuk do të kthehet në Kombet e Bashkuara. Bashkimi Evropian, pra Brukseli, do të mbetet vendi ku do të takohen të dyja palët”, thotë ai.

E megjithatë, Novakoviq nuk parashikon ndonjë sukses të madh, për shkak të rezistencës ndaj formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. “Më duket se 2023 do të jetë përsëri një vit stanjacioni”, mendon ai. Novakoviq nuk e përjashton as mundësinë e një lloj konflikti të kufizuar, i cili është shumë i mundshëm, sepse vetë liderët nga të dyja palët sigurisht që nuk mund ta kontrollojnë situatën në çdo kuptim dhe në çdo vend. “Ky është një skenar i mundshëm. Ndërsa BE, pa një ofertë më të fortë, më konkrete për të dyja palët, dhe pa investime në resurse dhe njerëz, nuk mund të presë ndonjë sukses më të madh”, pohon Novakoviq. 

(Kosova Sot Online)