Shpallet fajtor për trafikimin e 137 kg kokainë nga Ekuadori, Gjykata e Posaçme merr vendim për biznesmenin Gentian Malindi

  • E.K /
  • 10 January 2023 - 15:52
Shpallet fajtor për trafikimin e 137 kg kokainë nga Ekuadori, Gjykata e Posaçme merr vendim për biznesmenin Gentian Malindi

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 13 vite burg biznesmenin Gentian Malindi, i cili akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike.

Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar ai do të vuajë vetëm 8 vite e 8 muaj burg, për akuzat “trafik të narkotikëve” dhe “grup të strukturuar kriminal”.

Ai akuzohet për trafikimin e 137 kg kokaine nga Ekuadori, që u zëvendësua me oriz në portin e Pireut në Greqi.

Malindi akuzohet si porositësi i 137 kg kokainë të kapura në portin e Durrësit. 46-vjeçari u arrestua në Vlorë më 27 tetor.

Historiku:

Ndonëse në kërkim prej 3 vjetësh dhe i akuzuar për një nga linjat e trafikut më të madh të drogës në Europë, Gentian Malindi, udhëtonte i qetë në automjetin e tij gjatë momentit të arrestimit.

Edhe pse Policia e Tiranës e paraqiti arrestimin e tij me bujë të madhe, për shkak të një mjeti identifikimi fals, sipas policisë, biznesmeni i njohur, u arrestua në kuadër të operacionit “Kuito”, zona e famshme e Ekuadorit nga ku pretendohej se ishte nisur sasia prej 137 kg kokainë në bananet e “Alba Exotic Fruit”.

E bashkë me të, Policia tha se sekuestroi edhe një sasi parash që ai kishte në makinën e tij me të cilën udhëtonte në zonën e Vorës. Për rastin që akuzohet biznesmeni janë arrestuar dy persona, madje janë edhe të dënuar me vendim të GJKKO-së dhe po ashtu kanë përfituar edhe nga gjykimi i shkurtuar, ndërkohë që sipas Policisë, Malindi ishte në kërkim.

Mirëpo, në kohën kur Policia ndërhyri në portin e Durrësit për të zbuluar atë që kishte sinjalizuar DEA dhe policia greke, në mbrojtje të biznesmenit doli i ati i tij, avokati Ilir Malindi.

Ai lëshoi akuza të forta në lidhje me shënjestrimin e tij për shkak të përplasjeve politike që ai kishte pasur me Kryeministrin e vendit, ndërkohë që dy të arrestuarit, që u tha se hynë në port për të nxjerrë nga kontejneri 22 pako me kokainë, janë hetuar dhe gjykuar për këtë rast. Për të dy u kërkuan rreth 28 vite burg, por nga gjykimi i shkurtuar atë përfituan uljen që u lejon ligji.

Policia për arrestimin e biznesmenit:

Operacioni ndërkombëtar i koduar “Kuito” u finalizua në shtator 2019, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese greke, në koordinim me zyrën e DEA-s në Athinë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

Shtetasi G. M. dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit A. B., 53 vjeç dhe A. M., 35 vjeç, të dy banues në Durrës të cilët u arrestuan në shtator 2019, do të priste në Durrës, 137 kg lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua gjatë operacionit.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe të Krimit Ekonomik, të DVP Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në inteligjencën informative për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, kanë organizuar punën për kapjen e tij.

Në afërsi të Urës së Gjolës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe arrestuar shtetasin G. M., 46 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 1050 euro, 11 500 lekë të rinj, 3 aparate celulare dhe dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin me të cilin qarkullonte 46-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin G. M., për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, pasi qarkullonte me dokumente identifikimi kosovare, të falsifikuara”, sipas Policisë. Kështu që në vitin 2019, Gentian Malindi ishte në kërkim për kokainën e ngarkuar në kontejnerët e “Alba Exotic Fruit”.

Në lidhje me këtë çështje Gjykata e Posaçme ka dënuar me 15 vite burg Altin Myslihakën dhe me Ardian Begën dhe 12 vite e 6 muaj për Adrian Begën, të cilët u kapën duke tentuar të trafikonin 137 kg kokainë.

Myslihaka dhe Bega përfituan nga gjykimi i shkurtuar duke u dënuar përkatësisht me 10 dhe 8.4 vjet burg.

Myslihaka dhe Begaj, me anë të një çante nxorën 22 pako që ata mendonin se ishte kokainë, por nga ana tjetër rezultoi se me dorëzim të kontrolluar ishte lëndë e përzier kokainë e me oriz, pasi nga porti i Pireut në Greqi, hetuesit grekë dhe ata shqiptarë kishin vendosur të bënin një dorëzim të kontrolluar, duke i vendosur ngarkesës dhe GPS.

 

© Panorama.al

Te lidhura

Shpallet fajtor për trafikimin e 137 kg kokainë nga Ekuadori, Gjykata e Posaçme merr vendim për biznesmenin Gentian Malindi

Marco Reus, shok skuadre me Ronaldon: Menaxheri im po flet me Al Nassr

“S’kam pasur asnjë kontakt të papërshtatshëm”/ Mediu nga SPAK: Autoritetet ushtarake e konsideronin të sigurt Gërdecin! Ja çfarë ndodhi 15 ditë përpara tragjedisë

U mor i pandehur për tragjedinë e Gërdecit, Mediu del nga SPAK: Akuzat janë të motivuara politikisht, jam i pafajshëm! Çështja e demontimit të armëve ka qenë…

ZYRTARE/ Tirana fiton derbin me Partizanin në merkato, vjen firma me mesfushorin e njohur

(Kosova Sot Online)