Rëfimi i ish-ministres/ “Për aksidentin dhe injeksionin që m’u bë në spital nga infermieri i panjohur, dyshoj te dora e UDB-së në Tiranë dhe porosia e Kadri Hazbiut

  • S.A /
  • 14 January 2023 - 11:04
Rëfimi i ish-ministres/ “Për aksidentin dhe injeksionin që m’u bë në spital nga infermieri i panjohur, dyshoj te dora e UDB-së në Tiranë dhe porosia e Kadri Hazbiut

Nga Tefta Cami

Memorie.al / Haxhi Lleshi, ish-ministri i Punëve të Brendshme në periudhën 1944-1946 dhe Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë nga viti 1954 deri në 1982-in, duke filluar që nga periudha e Luftës, e deri sa ishte gjallë, pra për më shumë se gjysëm shekulli, e ka sulmuar dhe denigruar vazhdimisht Ahmet Camin, fisin tim Cami dhe mua personalisht, me të gjitha mënyrat dhe me çfarë ka pasur mundësi.

Pas ndërrimit të sistemit, d.m.th., pas viteve ’90-të, nuk mendoja të merrem me Haxhiun, sepse problemi tashmë i përkiste të kaluarës. Por ai, ka lënë të shkruara shumë gjëra dhe mua më është dashur të bëj një botim me shpjegimet e nevojshme, që e kam depozituar në Bibliotekën e Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë. Nuk dëshiroja ta publikoja, për hir të fëmijëve të tij, që ata të mos mbajnë barrën e të atit por, u detyrova të përgjigjem me këtë shkrim, pas publikimit të një dokumenti arkivor në media, ku ishte zbardhur biseda e Haxhi Lleshit, me historianin e njohur, Prof. Kristo Frashëri, e zhvilluar midis tyre më 16 korrik 1982.

Kjo pasi, në një pjesë të madhe të asaj bisede, Haxhi Lleshi, ka atakuar, sulmuar, denigruar dhe shpifur babanë tim, Ahmet Cami (‘Dëshmor i Atdheut’), fisin Cami dhe mua personalisht. Po kështu në atë bisedë, Haxhi Lleshi ka manipuluar dhe falsifikuar, jo vetëm historinë dhe të kaluarën e fisit Lleshi, familjes së tij dhe të vetën personale, por edhe të gjithë historikun e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Qarkut të Dibrës, madje edhe më gjerë, të Veriut të Shqipërisë.

Nisur nga këto, e pashë të arsyeshme që në këtë shkrim, unë të jap me fakte, argumente dhe dokumente arkivore, historinë e fisit Cami, babait tim Ahmet Cami dhe familjes sonë, si dhe timen personalisht, gjithnjë, vetëm mbi ato dhe duke i’u përgjigjur akuzave të Haxhi Lleshit, si dhe shtrembërimeve e falsifikimeve që ai ka bërë prej vitesh ndaj fisit Cami. Lexuesi le të gjykojë vetë.

                                                    Vijon nga numri i kaluar

Si e ka përvetësuar Haxhi Lleshi luftën e Ahmet Camit?

Në prill të vitit 1977, kryeministri Mehmet Shehu më kritikoi, duke thënë: “Në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës vazhdon puna armiqësore dhe përgjegjësi mban ministrja, Tefta Cami”.

Unë nuk fola, sepse kjo ndodhte edhe me ministra të tjerë, por nuk botoheshin ne Buletinin e Kryeministrisë. Kur shkova në zyrë, gjeta Buletinin, ku shkruhej, se: “Në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, ministrja Tefta Cami, bën punë armiqësore”. Ky Buletin ishte dërguar me shpejtësi edhe ne Dibër.

Atëhere i shkrova një letër kryeministrit dhe, pasi i raportoja për punën një vjeçare, i kërkova dorëheqjen. Më thirri të nesërmen bashkë me nën kryeministrin, Manush Myftiu dhe pasi i raportova gjerësisht, më tha: “Nga viti 1945 e deri tani, je ministri i parë, që kërkon dorëheqje dhe nuk ta pranoj kërkesën për dorëheqje. Vazhdo punën, siç ke punuar deri tani”.

Pas një jave, Sulejman Baholli, që ishte kryetar i Kontrollit të Shtetit, boton një artikull në gazetën “Zëri i Popullit”, ku shkruan, se: “Në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, kishin bërë një kontroll dhe vazhdonte puna armiqësore, ku përgjegjësi mban ministrja, Tefta Cami”. Ai ishte mik i ngushtë me Presidentin, Haxhi Lleshi. M’u konfirmua qe kryeministri me kishte akuzuar mbi bazën e raportit te tij.

Mblodha aparatin e Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, nëse ishte bërë ndonjë kontroll pa dijeninë time dhe më thanë se nuk ishte bërë asnjë kontroll. Me ketë rast, informova përsëri kryeministrin. U zhvillua mbledhja e Kryesisë së Kryeministrisë me nën kryeministrin Adil Çarçani, ku u bë ballafaqimi dhe u vendos, që t’i propozohet Sekretariatit te Komitetit Qendror të PPSH-së, që të shkarkohej Sulejman Baholli, për shpifje. Materiali është në fondin e Kryeministrisë, në Arkivin Qendror të Shtetit.

Në vitin 1980, më erdhi në zyrë kryeprokurori, Rrapi Mino dhe më paraqet një raport të një kontrolli, që kishin bërë si Prokurori në rrethin e Dibrës për investimet e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Kishte nxjerr si shkelje ndërtimin e dy shkollave në qytetin e Bulqizës…. dhe për fillimin e punimeve të Pallatit të Sporteve e Pallatit të Kulturës në qytetin e Peshkopisë dhe të një shkolle të mesme e, ujësjellësi në fshatin tim Viçisht.

I shpjegova se; shkolla të mesme kemi ndërtuar në të gjitha Kooperativat Bujqësore të Shqipërisë. Atëhere investimet në sektorët social-kulturor zinin 27-29 % të buxhetit të shtetit. E sqarova, që; të gjitha ishin me firmën e kryeministrit. E pyeta: “Me ç’urdhër e ke bërë këtë kontroll, sepse sipas platformës së Byros Politike të PPSH-së, organet e Diktaturës së Proletariatit, nuk mund të vihen mbi organet e zgjedhura. Unë si deputete e anëtare e Komitetit Qendror, nuk kam dijeni dhe kjo metodë është kocixoxiste”.

Kryeprokurori më tha: “Kontrollin e kam bërë me urdhër të Presidentit”. Ky raport ndodhet ne fondin e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, të Kryeministrisë dhe te K.Q. të PPSH-së, sepse ua çoi edhe atyre.

Sadik Qato, ish-punonjës i aparatit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, më ka pas pyetur: “Ç’i keni bërë Presidentit, sepse, në çdo mbledhje të organizatës së partisë, ai flet me urrejtje kundër Ahmet Camit e Camëve dhe teje, si dhe i inçizon në magnetofon”. (Kushedi se sa kaseta të tij ka në AQSH!)

Unë i thashë: “Nuk i kemi bërë asgjë. Si familje, vetëm jemi vetëmbrojtur prej tij”.

Kur isha ministre e Arsim-Kulturës, Haxhi Lleshi, i vazhdoi sulmet e tij, që janë të panumërta, duke shfrytëzuar postin e lartë të tij. Më ka bërë të dyshoj, se disa letra të veteranëve që më janë drejtuar mua, i kam gjetur në fondin e tij dhe unë nuk i kam marrë në atë kohë, sipas rregullit?!

Edhe për aksidentin që pësova me 20 korrik 1981, dyshoj se ka qenë dora e jugosllavëve, që e realizuan nga segmentet e tyre në Tiranë. Dyshimi bazohet edhe në faktin, se: m’u bë një gjilpërë ditën e tretë të aksidentit nga një infermier, që nuk ishte i pavijonit të Spitalit ku isha shtruar unë dhe ai injeksion, nuk ishte shënuar as në kartelë si dhe nuk u gjet, se kush ishte.

Në dhomën time, ishin tri motrat e mija, Liria, Drita e Fëmija dhe kushërira ime, Sabirea. Kalova në gjendje kome 24 orë dhe isha në rrezik, se mos paralizohesha, sepse kisha të të thyer cervikalen e dy fraktura në shtyllën kurrizore. Infermieri erdhi sapo doli jashtë dhomës im shoq, Dr. Mehdi Cani.

Qesh me fat, që Mehdiu ishte nga neuro-infeksionistët më të mirë dhe shpëtova. Kadri Hazbiu, ish-ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme në atë kohë, ka porositur vëllain, Moisin e bashkëshortin tim, duke u thënë që: “Brenda ruajeni ju Teftën, jashtë do ta ruajmë ne”. Dhe kështu u veprua. Atë ditë, më kaluan nga Spitali tek Klinika e Udhëheqjes dhe brenda dy javëve më dërguan në Paris, ku kam bërë tri operacione me rrezik jete, që u ngrita në këmbë.

Në atë periudhë, ndodhën edhe demonstratat e studentëve në Kosovë dhe dihet tashmë se për ato qe akuzuar Shqipëria. Si dhe qe lakuar edhe emri im, nëpër analizat e debatet kundër intelektualëve si dhe në shtypin e Beogradit për marrëdhëniet në fushat e Arsimit e Kulturës, të Sporteve e Shkencave Albanalogjike me Kosovën e viset e tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, si dhe për nxitje të nacionalizmit e irredentizmit shqiptar. Kjo gjë, mendoj edhe për faktin se në tetor të vitit 1980, unë kam qenë për vizitë në Kosovë si ministre e Arsimit dhe Kulturës, e ftuar nga ana e tyre.

Me rastin e 40 vjetorit tim, kam qenë propozuar nga kolektivi i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, (natyrisht pa dijeninë time), për t’mu dhënë titulli “Mësuese e Popullit”. Megjithëse kam qenë vlerësuar nga Enver Hoxha për drejtimin e Arsimit e Kulturës dhe Sporteve, e sidomos për marrëdhëniet me Kosovën e viset e tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, ai titull nuk m’u akordua kurrë.

Në takimin që kam patur me Enver Hoxhën në janar të vitit 1980, pasi bëri vlerësime për arritjet në fushën e Arsimit dhe Kulturës, (që është botuar tek “Enver Hoxha për Shkencën”), Enveri më tha: “Do të kesh fatin që do të shkosh për vizitë në Kosovë. I kam thënë edhe Ramizit (Alia) të mos përmendet emri im (Enverit) dhe të mos citohet Partia. Ne, marrëdhëniet me shqiptarët e Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi, i kemi vëllazërore.

Ne kemi sukses me këto marrëdhënie se je ti ministre, që vjen nga një familje e madhe patriote dhe i planifikoni e i ndiqni detyrat për zhvillimin e marrëdhënieve me preukupacion. Të mos lejoni që të etiketohen vëllezërit tanë shqiptarë të Kosovës, si titistë e agjent të UDB-ës. Ata janë më patriot se ne, sepse luftojnë kundër dy regjimeve, të atij titist dhe serb”.

Lidhur me dekorimin tim, as që merrej me mend ta miratonte ish-Presidenti i atyre viteve, Haxhi Lleshi, as për “Mësuese e Popullit” dhe as për ndonjë dekoratë, tjetër për mua.

Në vitin 1992, në takimin me zgjedhësit në Shupenzë, midis të tjerash, Haxhi Lleshi tha: “Ahmet Cami ka qene tradhtar”. Në atë moment u bë zhurmë në sallë dhe kryetari i degës së Partisë Demokratike, Latif Dema, i’u përgjigj: “Për ne, Ahmet Cami ka qenë një luftëtar hero, por ty të paska ardhë pleqëria nga koka dhe jo nga këmbët”. (Këtë gjë e ka botuar edhe gazeta ‘Rilindja Demokratike” e atyre ditëve).

Në vitin 1973, kur ka shkuar një instruktor i K.Q. të PPSH-së për për ta pyetur Aqif Lleshin për Ahmet Camin, Aqifi ka thënë: “Lejeni, se ç’thotë ai v….Ahmet Cami ka qenë një hero. Po të mos ishte Ahmeti, që ishte autoritar në Dibër, unë (Aqifi) dhe nipi im, s’mund të vinim në Shqipëri, me ato, që kishim bë me Halitin në Dibër”.

Kur unë u emërova ministre e Arsimit dhe Kulturës, mora një letër nga Reshit Haxhi Lleshi, i cili më kërkonte që të futej në punë si mësues, sepse ishte i internuar së bashku më nënën e tij, në fshatin Mollas të Peqinit.

Unë bisedova me Ramiz Alinë dhe ai më tha: “Përsëri do zihesh me Presidentin”?! Ndërsa unë i’u përgjigja: “Unë po ndihmoj djalin e tij, kushëririn tim”. Ai më tha: “Presidenti i ka denoncuar Reshtinin e bashkëshorten, tek shoku Enver Hoxha dhe ka insistuar të dënohen me burg”. Por megjithëkëtë, në vitin 1986, Reshitin e çova në Elbasan.

Kur u bë analiza në Sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, më 8 shtator 1973 (një ditë para mbledhjes), më thirri Hysni Kapo dhe më tha: “Thirra edhe Hekuranin dhe e porosita, që të flasë vetëm për punën dhe të mos flasë kundër teje. Edhe ti të flasësh vetëm për punën”!

Unë i thashë: nuk kam folur kundër sekretarit të parë asnjëherë pavarësisht nga rezervat e mija. Por unë dua të sqaroj biografinë tima për akuzat që më ka bërë presidenti në mbledhjen e Byrosë të Partisë të Dibrës.

Ky konflikt me presidentin ka filluar me babain tim, kur ka ardhur tek Ahmeti me 7 prill 1941 dhe i nxora fletoren e ditarit të burgut të babait, ku përshkruhet se Haxhi Lleshi ka ardhur në Shqipëri me 300 forca serbe bashkë me një major serb, për të penguar sulmin e forcave italiane ndaj Jugosllavisë. Ahmeti s’ka pranuar të bashkëpunojë me ta. E kishim biseduar me Moisin, që ta çonim deri lartë, për ta ditur udhëheqja, se si kishte ardhur Haxhi Lleshi në Shqipëri.

Hysni Kapo u ngrit në këmbë dhe më tha: “Të urdhëroj, që të mos flasësh keq për Presidentin”, – duke ma përsëritur tri herë. “I di partia ato që janë shkruar aty”, dhe nuk e mori fletoren, që nxora unë. “Ne do ta trajtojmë problemin si kundërvënie ndaj emancipimit të gruas”. Dhe ashtu u trajtua problemi në mbledhjen e Sekretariatit nga Enver Hoxha.

-Haxhi Lleshi këmbënguli, që të merrej masë ndaj meje se isha me biografi të keqe për të.

-Sulejman Baholli tha:”Tefta është vazhdim i punës armiqësore të Zoi Themelit”.

-Enveri: “Zoi Themelin e dënuat ju të Dibrës”.

-Haxhiu: “Ka një vendim për shkarkim e përjashtim nga partia për biografi të keqe. Është mbesa e Ukë Camit…..”!

-Enveri: “Jo vetëm s’ka vend për masë, por Teftës i takon të jetë sekretare e parë në rreth”!

-Hysni Kapo: “Tefta është e bija e Ahmet Camit, atij patrioti të madh, që ka derdhur gjak për çlirimin e atdheut”.

– Adil Çarçani e Gafur Çuçi thanë: “Tefta punon mirë, por nuk e duan disa kuadro dibranë, që punojnë jashtë Dibrës”. Aludohej për Haxhiun e Sulejmanin etj.

-Haxhiu: “E di si është vrarë baba i Teftës? Që dhamë urdhër ne, të largohen çetat partizane nga Dibra e Madhe dhe të marrin pjesë në çlirimin e Peshkopisë”.

– Enveri, pasi u mendua pak, tha: “Pse shqetësohesh aq shumë shoku Haxhi? Ai është vrarë dhe ka kontribuar më shumë se unë e ti, që po e gëzojmë. Edhe Tefta punon mirë. Pse shqetësohesh”?!

Por ne fjalimin e tij të botuar, për çudi, janë hequr vlerësimet e Enver Hoxhës për familjen time, si familja më patriote në Shqipëri, me tri breza ‘Dëshmorë të Atdheut’. Mesa duket, siluroheshin materialet e Enverit në ato vite nga të tjerë.

Enveri, sa herë na takonte gjatë pushimeve të mbledhjeve të plenumeve të K.Q. të PPSH-së, më ka thënë: “Mbaje mend! Ti vjen nga një familje e madhe patriote”.  Gjatë atyre viteve si dhe tani mendoj, qe Presidenti vazhdonte të bënte presion në K.Q. të PPSH-së kundër meje.

Nga kjo mbledhje priteshe përjashtimi im dhe shkarkimi apo masë tjetër ndëshkimore nga Haxhi Lleshi e miqtë e tij dibranë. Mihal Bisha më tha: “Je e vetmja që fiton në konflikt me Haxhi Lleshin, se të tjerët janë ndëshkuar apo arrestuar”.

Problemi u trajtua nga Enver Hoxha, si kundërvënie ndaj emancipimit të gruas.

Haxhiu me klikën e tij kishin parashikuar ta festonin me një darkë. Por nuk e bënë dot, se nuk u realizua parashikimi i tyre.

Janë të pafund bëmat e tij dhe të Sulejman Bahollit ndaj meje.

Nuk dua të zgjatem më shumë, por do të dëshiroja, që Haxhi Lleshi, si presidenti kohës time, të linte në fondin e tij, projekte të mëdha për zgjidhjen e çështjes kombëtare, projekte siç lenë gjithë presidentet e botës, që të futej në histori me dinjitet. Por, siç tregoi koha, Fondi personal i Haxhi Lleshit, është si: “litari i Osman Gazepit”!

Si përfundim, unë nuk dëshiroj dhe nuk duhet të vazhdojnë këto fenomene tek pasardhësit e të dy palëve. Ta mbyllim këtë kapitull dhe të punojmë në interes për mbrojtjen e Shqipërisë dhe të Kombit Shqiptar. © Panorama.al

(Kosova Sot Online )