Die Presse: Kur duhet ta presim eskalimin tjetër të situatës?, Kurti: Varet nga Serbia

  • E.K /
  • 14 January 2023 - 08:42
Die Presse: Kur duhet ta presim eskalimin tjetër të situatës?, Kurti: Varet nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i shqetësuar për ndikimin në rritje të Rusisë në Ballkan, ku edhe po bën thirrje për veprim nga BE-ja.

Kurti për të përditshmen austriake, Die Presse tha se është e vështirë të parashikohet ndonjë eskalim tjetër i situatës, pasi thotë se kjo varet nga Serbia.

“Është e vështirë të parashikohet sepse varet nga Serbia. Ekstremistët e mbështetur nga Beogradi kanë ngritur së fundmi 16 barrikada në veri të vendit tonë. Shpresoj se nuk do të ndodhë më. Por Beogradi nuk pranon që ne jemi shtet i pavarur. Po përpiqet të minojë shtetin tonë. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe BE dhe është duke shënuar progres ekonomik. Kjo çon në nervozizëm në Beograd”.

Tutje, Kurti u pyet edhe për ndonjë përplasje ushtarake mes Kosovës dhe Serbisë, pas dërgimit të ushtrisë serbe nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq në kufi.

Kurti shpreson se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, por shprehet i shqetësuar jo vetëm për Serbinë, por edhe për lidhjet që ka me Rusinë.

“Shpresoj qe jo. Por në të njëjtën kohë, mendoj për faktin se Serbia ka 48 baza ushtarake dhe xhandarmërie në periferi rreth Kosovës. Në kufirin tonë dhe në veri të vendit tonë pamë persona me shenja të bandës nacionaliste ruse të motoçikletave Ujqërit e Natës dhe trupës mercenare ruse ëagner. Ne jemi të shqetësuar: jo vetëm për Serbinë, por edhe për lidhjet e Serbisë me Rusinë”.

Derisa, Kurti fliste për marrëdhëniet e mira mes Serbisë dhe Rusisë, tha se Beogradi nuk po vë sanksione kundër Rusisë, për shkak të sulmit ndaj Ukrainës.

“Po, por Serbia kohët e fundit është shtyrë edhe më shumë drejt Kremlinit: Beogradi nuk po merr pjesë në sanksionet kundër Rusisë që u vendosën për shkak të sulmit ndaj Ukrainës. Përkundrazi, Serbia ka lidhur marrëveshje me Moskën për gaz të lirë dhe bashkëpunim në politikën e jashtme. Dhe Aleksandar Vulin, një nga politikanët serbë më pro-rusë, u bë shefi i inteligjencës së Serbisë”.

(Kosova Sot Online)