A janë të kënaqur SBASHK me koeficientin e pagave?

  • A.P /
  • 01 February 2023 - 16:22
A janë të kënaqur SBASHK me koeficientin e pagave?

Koeficienti i pagave i miratuar sot nga Qeveria nuk i ka plotësuar pritjet e tyre, kanë theksuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit,  transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.


Megjithatë thonë se 90% e anëtarësisë së tyre kanë një rritje page mesatare rreth 100 euro.

“Të nderuar anëtarë të SBASHK-ut jemi të vetëdijshëm se kjo vlerë e koeficientit nuk plotëson pritjet e as nevojat, duke marrë parasysh ngritjet e çmimeve, por edhe koston e jetesës në përgjithësi, por megjithatë SBASHK-u për momentin mendon që ligji duhet të fillojë zbatimin me pagat e muajit shkurt 2023 dhe të metat eventuale të ligjit të përmirësohen gjatë kohës sa është duke u zbatuar ligji”, thuhet në komunikatë.

SBASHK thotë se janë angazhuar në vazhdimësi për të pasë një pozitë sa më të mirë në Ligjin e Pagave dhe bazuar në koeficientet kjo edhe ishte arritur që të punësuarit në sistemin arsimor u ranguan në mes të koeficienteve 30-35%, posaçërisht punonjësve të arsimit parauniversitar, e në veçanti punëtorëve teknikë dhe administrativ, si dhe çerdheve.

“Ky rangim ka bërë që vlera e koeficientit prej 105 euro, e cila nuk i plotëson pritjet tona por ajo mundëson që mbi 90% e anëtarësisë tonë kanë një rritje page mesatare rreth 100 euro”.


Gjithashtu, SBASHK thotë se nuk ka pasë asnjë konsultë për caktimin e vlerës së koeficientit dhe as nuk është kërkuar nga asnjë organ pëlqimi ynë .

“Pra, SBASHK-u nuk ka ndërmend të dërgojë ankesë te Avokati i Popullit për ta dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese”.

(Kosova Sot Online)