Detaje për vlerën monetare të koeficientit të pagave

  • A.P /
  • 01 February 2023 - 17:35
Detaje për vlerën monetare të koeficientit të pagave

Që vlera monetare e koeficientit të pagave të jetë 105 për vitin 2023 dhe 110 për vitin 2024,  ka vendosur sot Qeveria e Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Pas këtij procesi voluminoz dhe shumë kompleks, është mbërritur tek vlera e koeficientit për vitin 2023 dhe ai është 105. Ndërsa, në janar të vitit 2024, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, ai do të jetë 110”, tha kryeministri Albin Kurti në këtë mbledhje.

Nuk vonoi shumë e Kurti publikoi në faqen e tij zyrtare edhe disa infografika, ku krahasoi pagat aktuale bazë të disa kategorive dhe ato që do t’i kenë me hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga në Sektorin Publik.

Në infografikat e publikuara nga Kurti, pagat janë llogaritur në bruto, ashtu që edhe rritja duket më e madhe, edhe pse s’janë përfshirë përvoja e punës dhe shtesat e tjera.

Për këtë ka reaguar edhe ish-Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i cili e ka quajtur këtë grafikë manipuluese.

“Infografika manipuluese e Qeverise. Nuk e tregon rritjen ne pagen neto, por vetem ne bruto. Rritja ne bruto, mund te perfshij pagen baze, shujtat, shtesat, taksat, kontributin pensional, etj. Ne fund ajo cka merret per baze eshte: sa euro shtese, ose sa euro minus jane ne llogarine e secilit”, ka shkruar Rukiqi në Facebook.

Por, sa u rritën pagat realisht dhe sa para do t’u dalin në xhirollogari mbi 80 mijë punonjësve të sektorit publik? Gazeta Express ka llogaritur këto paga në neto, përmes kalkulatorit të publikuar në faqen zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës, e të cilat mund t’i gjeni më poshtë:

Pagat për punëtorët shëndetësorë

Sipas infografikës së publikuar nga Kurti, mjeku specialist ka aktualisht pagë bazë bruto 659 euro dhe se me Ligjin e ri i do t’i marrë 1 mijë e 260 euro apo 601 euro më shumë.

Në neto, paga aktuale e mjekut specialist i bie të jetë 585 euro, me Ligjin e ri do t’i marrë 1 mijë e 99 euro. Rritja reale i bie të jetë 514 euro.

Paga bruto e mjekut të përgjithshëm, sipas Kurtit, është 565 euro, pritet të bëhet 777 euro me hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga apo 212 euro më shumë.

Në neto, mjeku i përgjithshëm merr aktualisht 505 euro, pas hyrjes në fuqi të Ligjit do t’i marrë 686 euro. Rritja reale është 181 euro.

Kryeinfermieri në QKUK aktualisht merr pagë bruto 471 euro. Me Ligjin për Paga, pritet t’i marrë 672 euro bruto, apo 201 euro më shumë.

Paga në neto e tij aktualisht është 424 euro, pritet të bëhet 596. Rritja reale është 172 euro.

Në infografikën e publikuar nga Kurti, paga bruto e kryeinfermierit në spitalet rajonale figuron se është 471 euro dhe se pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Paga do të marrë 651 euro, apo 180 euro më shumë.

Kur kthehet në neto, paga aktuale e një kryeinfermieri në spitale rajonale i bie se është 424 euro, do t’i marrë 578. Rritja reale është 154 euro.

Infermieri, fizioterapeuti, logopedi, tekniku i radiologjisë diagnostike, teknike i radioterapisë, mjekësi sanitare, laboranti, mamia, tekniku mjekësor, tekniku farmacist 1 në QKUK, aktualisht kanë pagë bruto 425 euro. Me rritje, i bie të marrin 588 euro bruto, apo 163 euro më shumë.

Paga e tyre në neto është 384 euro, pritet të bëhet 524 euro. Rritja reale është 140 euro.

Infermieri 2 në spitale rajonale merr 425 euro bruto, do t’i marrë 577 euro apo 152 euro më shumë, sipas Kurtit.

Në neto, paga e tij është 384 euro, do të bëhet 515. Rritja reale është 131 euro.

Infermieri 4 aktualisht ka pagë bruto 377 euro. Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, pritet t’i marrë 497 euro apo 179 euro më shumë.

Por, kur llogaritet paga neto, del se ai merr aktualisht 342 euro, pritet t’i marrë 497. Rritja reale është 155 euro.

Infermieri 5 ka pagë bruto 377 euro dhe pritet t’i marrë 546 euro, apo 169 euro më shumë.

Në neto, paga e tij i bie se është aktualisht 342 euro, pritet të bëhet 489. Rritja reale është 147 euro.

Pagat për punëtorët e arsimit

Në mesin e infografikave që ka publikuar Kurti, njëra është për pagat e punëtorëve të arsimit.

Mësimdhënësi/ja në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët aktualisht ka pagë bruto 421 euro, pritet t’i bëhet 588 euro apo 167 euro më shumë.

Në nëto, mësimdhënësi/ja i bie se merr 381 euro, pritet t’i marrë 524 euro. Rritja reale është 143 euro.

Paga bruto e mësimdhënësit/es në Shkollën e Mesme të Ulët aktualisht është 459 euro dhe me Ligjin për Paga pritet të bëhet 609 euro apo 150 euro më shumë.

Por, nëse kthehet kjo pagë në neto, i bie se mësimdhënësi/ja në SHMU merr 414 euro, pritet t’i marrë 542 euro. Rritja reale është 128 euro.

Kurti ka publikuar edhe pagën e mësimdhenësit/es në shkolla speciale. Paga aktuale bruto është 334 euro dhe pritet të bëhet 609 euro apo 175 euro më shumë.

Në neto, i bie se paga e mësimdhënësit/es në Shkolla Speciale është 392 euro, pritet të bëhet 542 euro. Rritja reale është 150 euro.

Edukatori/ja merr aktualisht 393 euro pagë bruto, pritet t’i marrë 546 euro apo 153 euro më shumë.

Nëse kthehet në neto, edukatori/ja i bie se merr 356 euro aktualisht, pritet t’i marrë 489 euro. Rritja reale është 133 euro.

Pagat për Policinë e Kosovës dhe Zjarrfikësit

Infografika tjetër e publikuar nga Kurti është për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe zjarrfikësit.

Polici i lartë aktualisht ka pagë bazë 392 euro. Me Ligjin për Paga në Sektorin Publik ai pritet të paguhet 619 euro apo 227 euro më shumë.

Paga aktuale e policit të lartë në neto i bie se është 355 euro dhe se pritet të bëhet 551 euro. Rritja reale është 196 euro.

Rreshteri në Policinë e Kosovës ka pagë bazë bruto 440 euro, e pritet t’i bëhet 672 euro apo 232 euro më shumë, sipas Kurtit.

Në neto, një rreshter merr aktualisht 397 euro, derisa pritet t’i marrë 596 euro me Ligjin e ri. Rritja reale i bie se është 199 euro.

Kapiteni në Polici merr aktualisht 546 euro bruto, e me Ligjin e ri paga e tij pritet të bëhet 777 euro apo 231 euro më shumë.

Kur kthehen në neto, paga aktuale e rreshterit i bie të jetë 489 euro, pritet të bëhet 686. Rritja reale është 197 euro.

Zjarrfikësi aktualisht ka pagë bazë bruto 325 euro dhe pritet të bëhet 525 euro apo 174 euro më shumë.

Në neto, një zjarrfikës merr 297 euro aktualisht, pritet t’i marrë 471 euro. Rritja reale është 174 euro.

Pagat në Forcën e Sigurisë së Kosovës

Infografika e fundit e publikuar nga Kurti është për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ushtari i FSK’së aktualisht ka pagë bazë bruto 443 euro, e me Ligjin e Pagave ai pritet të marrë 588 euro apo 145 euro më shumë.

Paga e tij aktuale në neto është 400 euro, pritet të bëhet 524 euro. Rritja reale është 124 euro.

Ushtari i klasit të parë në FSK ka pagë bazë bruto 465 euro. Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga, ai pritet të marrë 609 euro apo 144 euro më shumë.

Në neto, i bie se paga e tij është 419 euro, do të bëhet 542 euro. Rritja reale është 123 euro.

Rreshteri i FSK’së ka pagë bazë bruto 513 euro, e me Ligjin e Pagave do të bëhet 693 euro apo 180 euro më shumë.

Paga aktuale e rreshterit të FSK’së në neto i bie se është 460 euro, pritet të bëhet 614 euro. Rritja reale i bie se është 154 euro.

(Kosova Sot Online)