Afera Rama-McGonigal/ Revista amerikane: I mori paratë si bandat...

  • E.K /
  • 18 February 2023 - 10:47
Afera Rama-McGonigal/ Revista amerikane: I mori paratë si bandat...

Një nga revistat më të mëdha dhe më të njohura jo vetëm në SHBA, por në mbarë botën, ‘Rolling Stone’ hedh më shumë dritë me një shkrim investigues për aferën Rama-McGonigal.

Revista shkruan se gjithçka nisi nga një ish-agjent i KGB-së ruse, i cili korruptoi ngadalë një nga njerëzit më të rëndësishëm të FBI-së.

Revista thekson po ashtu edhe padinë shqiptare të McGonigal, ndërsa thekson se skandali ka përmasa shumë të mëdha.

PJESE NGA SHKRIMI

“McGonigal akuzohet gjithashtu për një çështje të veçantë të ngritur në Uashington, për pranimin e gati një çerek milion dollarë në pagesa sekrete nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare, duke përfshirë 80 mijë dollarë që iu dorëzuan me stil bandash në një makinë të parkuar në një restorant në Nju Jork.

“Arrestimi i tij është një ditë për të ardhur keq për FBI-në,” tha për ‘Rolling Stone’ një zyrtar i lartë i FBI-së në pension. “Byroja ka marrë goditje kohët e fundit nga Trump dhe të tjerë që e sulmojnë atë. Edhe kjo na duhej”.

Çelësi për të kuptuar çështjen McGonigal sillet rreth një grupi pyetjesh: cilat ishin motivimet e ish-agjentit të kundërzbulimit të FBI-së? A po ndiqte ai dollarët që miliarderët si Deripaska i spërkasin në botën e sigurisë private? Apo lakmia e McGonigal e shtyu atë që t’i ofronte sekretet një oligarku dhe një ish-oficeri të dyshuar të inteligjencës ruse në listën e tij të pagesave?

McGonigal ka ngritur shqetësime që shkojnë përtej politikës. Detyra e tij e fundit në FBI- nga shtatori 2016 deri në daljen në pension dy vite më vonë- ishte si agjent special i ngarkuar me kundërzbulimin në zyrën në terren të Nju Jorkut. Është një punë që i mundësonte atij akses në disa nga sekretet më të ndjeshme të vendit dhe në detajet më intime të hetimeve të FBI-së për spiunët e huaj në tokën amerikane.

Sipas prokurorëve federalë, midis hetimeve që mbikëqyri McGonigal si kreu i kundërzbulimit në Nju Jork, ishte një për punëdhënësin e tij të ardhshëm, Oleg Deripaska. Deripaska u padit vitin e kaluar nga një Juri e Madhe në Manhatan për shmangie të sanksioneve dhe pengim të drejtësisë.

McGonigal kishte potencialin për të furnizuar një minierë ari të inteligjencës. Disa nga sekretet më sekrete- emrat e spiunëve, agjentëve të dyfishtë dhe burimet e metodat që SHBA përdorin për të mbledhur inteligjencë- kalonin në tryezën e tij.

A dorëzoi McGonigal ndonjë nga këto? “Potenciali këtu është se ai mund të jetë një nga spiunët më shkatërrues në historinë e SHBA, por nuk ka prova të mjaftueshme për ta bërë këtë pretendim,” thotë oficeri në pension i CIA-s, John Sipher, i cili punoi për hetimin e Robert Hanssen, agjentit të FBI-së që spiunoi për Bashkimin Sovjetik dhe Rusinë për dy dekada.

Deri më tani, nuk ka asnjë aluzion për spiunazh në dosjen gjyqësore. “Ajo që po dëgjoj në fund të ditës është... ishte lakmi dhe jo spiunazh,” thotë një ish-agjent i FBI-së që e njihte McGonigal.

Procedura standarde në raste të tilla është kryerja e një vlerësimi të brendshëm për të përcaktuar se çfarë dëmi- nëse ka- mund t’i ketë bërë McGonigal operacioneve të byrosë. FBI nuk pranoi të komentonte nëse një vlerësim i tillë ishte duke u zhvilluar.

Por gjashtë ish-agjentë të FBI-së që folën me ‘Rolling Stone’ mbetën të shtangur kur mësuan se McGonigal ishite ngatërruar me një spiun të dyshuar rus dhe shefin e tij bandit".

(Kosova Sot Online)