“Faktet mbi tavolinë”- Skandali “McGonigal”, Pampuri: Qeverinë e rrëzon vetëm drejtësia, Rama humbi besimin te ndërkombëtarët

  • E.K /
  • 20 February 2023 - 15:30
 “Faktet mbi tavolinë”- Skandali “McGonigal”, Pampuri: Qeverinë e rrëzon vetëm drejtësia, Rama humbi besimin te ndërkombëtarët

VALENTINA MADANI/ Orjola Pampuri i bën thirrje drejtësisë që të hetojë Kryeministrin Edi Rama për lidhjet me ish-agjentin e FBIsë McGonigal. Sipas saj, ky është rasti për të treguar se drejtësia është e pavarur.

Deputetja e PD-së thotë për gazetën “Panorama” se nëse faktet dalin dhe drejtësia vepron, bie qeveria. Pampuri e cilëson aferën si një akt të paprecedentë të një Kryeministri, i cili cenoi demokracisë duke korruptuar një ish-agjent kundër opozitës shqiptare. Ajo beson te revolucioni demokrat, por vetëm nëse shqiptarët mblidhen me mijëra në shesh dhe që aty nuk ikin deri në dorëheqjen e Kryeministrit.

Por, Orjola Pampuri shprehet se faktet mbi tavolinë e rrëzojnë nga pushteti Edi Ramën. Znj. Pampuri përmend se drejtësia dhe goditja ndaj korrupsionit dhe të korruptuarve me pushtet, do të jetë një pikë kthese e fortë për Shqipërinë dhe të ardhmen e demokracisë. Sa i përket situatës në PD, ajo ka bindjen se demokratët do të bashkohen për t’u bërë shumicë. Kjo sipas saj përmes një alternative të mirë, e cila të tërheqë votuesit gri, por edhe socialistët e zhgënjyer dhe të lodhur nga pushteti i korruptuar i Ramës.

Znj. Pamuri, ditët e fundit politika dhe publiku shqiptar është përfshirë në debatin e akuzave të një ish-agjenti të FBI-së dhe lidhjet e tij me Kryeministrin shqiptar, rolin e këtij të fundit kundër PD-së. Cila është përgjegjësia e qeverisë shqiptare në këtë aferë?

Sigurisht që është një nga aferat, e cila së pari tronditi një marrëdhënie besimi të pacenuar prej 32 vitesh mes Shqipërisë dhe aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Së dyti, është një ndër aktet më të paprecedentë në të cilin mund të përfshihet një Kryeministër i një vendi që duhet të punojë për të bërë hapat e duhur për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, me këtë veprim Edi Rama ka cenuar demokracinë, pluralizmin duke paguar, e lobuar të godasë politikisht Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike. Ka humbur besimin përballë SHBA-së, BE-së gjithashtu, të cilët në çdo rast nevoje nuk kursehen t’i gjenden pranë si me hua, mbështetje financiare për tërmetin, pandeminë etj., dhe ky Kryeministër paratë i përdor për të goditur opozitën. Minimumi Edi Rama duhet të dorëhiqej.

A duhet hetuar Edi Rama nga drejtësia e reformuar shqiptare? Duhet të ketë edhe ai fatin e Charles McGonigal?

Pa diskutim që po, drejtësia e reformuar, këtë herë edhe me mbështetjen e SHBA-së dhe BEsë, duhet të tregojë sa e vërtetë është dhe e pavarur.

Krerët e opozitës, Berisha dhe Meta, u kanë bërë thirrje shqiptarëve që të ngrihen e të rrëzojnë Edi Ramën nga pushteti përmes revolucionit demokratik. A besoni se këtë herë shqiptarët do “zgjohen”, do të ndërgjegjësohen se kjo qeveri e ky Kryeministër duhet të ikin?

Shqiptarëve nuk kanë më nevojë t’ua thotë askush se sa i korruptuar është Edi Rama dhe qeveria e tij, nuk kanë nevojë t’ua thotë askush sesa është varfëruar vendi, nuk ka nevojë më t’u tregojë askush për çmimet, taksat e larta, për të rinjtë që largohen, për pamundësinë për t’u paguar për të përballuar jetesën e për të jetuar në këtë vend. Ata e dinë më mirë se kushdo i veshur me kostumin e pushtetit në pozitë dhe opozitë. Shqiptarët duan zgjidhje.

E zgjidh revolucioni?

Po, por revolucion nuk është me tubimin me fjalim dy orë dhe shihemi në shëtitjen e radhës. Revolucion është që qindra mijëra njerëz të mbushin sheshin e të mos largohen prej aty pa dorëheqjen e Kryeministrit. Por, në këto vite demokraci nuk ka ndodhur që qeveritë të bien nga këto tubime. Sigurisht që edhe tubimet në një vend demokratik janë të shëndetshme, për t’i treguar qeverisë pakënaqësinë që qytetarët kanë ndaj punës së tyre, por kjo nuk mjafton.

Pas skandaleve të njëpasnjëshme, çfarë e rrëzon Edi Ramën nga pushteti?

Drejtësia dhe vetëm drejtësia. Faktet, të gjitha faktet mbi tavolinë, vetëm kjo rrëzon Edi Ramen. Edi Rama ka humbur besimin tek ndërkombëtarët, e nëse faktet dalin drejtësia vepron, qeveria bie. Drejtësia dhe goditja ndaj korrupsionit dhe të korruptuarve me pushtet, do të jetë një pikë kthese e fortë për Shqipërinë dhe të ardhmen e demokracisë.

Protestat nuk mundën ta bashkojnë tërësisht PD-në. Kush po e mban peng PD-në? Pse nuk ka një reflektim nga palët për situatën në të cilën ndodhen demokratët…?

Protestat siç e thashë dhe më lart, janë pa diskutim të shëndetshme në një vend demokratik, dhe sigurisht secili prej nesh ka qenë i lirë të marrë pjesë e t’i bashkohet, siç dhe ka ndodhur, por nëse pjesë e tyre ka qenë edhe qëllimi për të çuar disa deputetë nga njëri krah në tjetrin, kjo ndoshta ka qenë e gabuar, sepse së pari duhet të reflektojmë mbi arsyen që na solli në këtë përçarje dhe është pikërisht ai standard për të cilin ne si opozitë kemi qenë të panegociueshëm, ndaj dhe nuk mund të luajmë me disa standarde.

Ne na bashkon fakti që të gjithë të ruajmë disa standarde që aleati ynë me i madh strategjik na ka vënë, pikërisht SHBA-ja dhe BE-ja, pa mbështetjen e të cilëve nuk do të kishim përparuar në shumë hapa dhe reforma të rëndësishme, e që ta kemi këtë mbështetje sërish duhet se paku të zbatojmë standardet e tyre. Dhe pikërisht kjo sot e mban peng bashkimin e të gjithë demokratëve.

Opozita hyn në zgjedhjet e 14 majit me disa disavatazhe të mëdha, ndërkohë që mazhoranca dhe Edi Rama kanë gjithë pushtetin në funksion të tyre. Cila është zgjidhja më e mirë për opozitën?

Sigurisht që përçarja dhe të gjitha ngjarjet brenda Partisë Demokratike nuk kanë qenë e nuk janë në favor të opozitës. Pa diskutim që dalja me një kandidat, dhe ky nën logon e Partisë Demokratike, do ta ndihmonte shumë. Disa kandidatë copëzojnë mundësinë për të pasur një rezultat të mirë në zgjedhjet e 14 majit.

A është e riparueshme thyerja brenda PD-së? Kush mund t’i pajtojë demokratët me qëllim që të bëhen shumicë absolute?

Demokratët i bën bashkë dhe shumicë të padiskutueshme një alternativë e mirë, e cila do të rrisë frymën dhe besimin sërish për një të djathtë fituese. Kur them alternativë, të djathtët, votuesit gri, por edhe socialistët e zhgënjyer dhe të lodhur nga pushteti i korruptuar i Ramës, do të duan të shohin figura të reja, me integritet personal dhe profesional, të cilët janë të pastër, të pakorruptuar, dhe falë punës së tyre kane ndërtuar një karrierë dhe pse jo dhe një familje të mirë. Unë besoj ky është momenti.

Sa do ta dëmtojë PD-në ndarja në zgjedhjet lokale, nëse deri atëherë nuk arrihet dakordësia mes palëve për bashkim?

Unë mendoj, që përçarja nuk i shërben qytetarëve, gara kush ka më shumë e më pak nuk ka lidhje fare me interesat e qytetarëve, ndaj nëse do të duam një Parti Demokratike sërish fituese, të mendojmë dhe të konsolidojmë shumicën. Duhet të mundësojmë ndryshimin vetëm nën logon e partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike, e cila hapat e sigurt përpara i bën duke pasur edhe besimin dhe mbështetjen e SHBA-së dhe BEsë.

A mjafton vetëm bashkimi që opozita të fitojë? A i duhen asaj shumë zgjedhës që të shkojë drejt fitores?

Pa diskutim që i duhen votuesit, të gjithë, çdo votë vlen, por që të sigurosh sa më shumë zgjedhës duhet tu ofrosh alternativën. Dhe alternativë nuk mund të jenë as pazaret e as njerëz të korruptuar, e as njerëz që kostumin e pushtetit e veshin për të pasuruar veten dhe familjen e tyre, por personazhe të pastër, të cilët nuk shantazhohen, të cilët nuk mund ti mbajnë peng as me dosje e as me video erotike, as me histori rozë, por njerëz të cilët nuk i frikësohen askujt e asgjëje.

A ka vend për reflektim, që PD-ja të jetësojë qarkullimin e elitave me qëllim që të rritet me zgjedhës të rinj që sot nuk i merr as Rama, as Berisha, as Meta?

Patjetër që qarkullimi i elitave është i shëndetshëm dhe i domosdoshëm. Sigurisht që personazhe me vite eksperiencë në politike shërbejnë gjithnjë si një shkollë politike për të rinjtë, por nuk duhet kurrsesi të bëhen pengesë për karrierën e të rinjve. Që një parti politike të krijojë frymë dhe shpresë duhet të ketë qarkullim elitash, ndryshe humbet besimin.

(Kosova Sot Online)