Kurti: Republika jonë është për bashkëpunim të mirë rajonal

  • A.P /
  • 23 February 2023 - 18:48
Kurti: Republika jonë është për bashkëpunim të mirë rajonal

Kosova është vendi i dytë që ratifikon tre marrëveshjet nga Procesi i Berlinit dhe shteti i parë në Ballkanin Perëndimor që i ratifikon ato në Kuvend me 2/3 e votave, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai ka falënderuar deputetët që kanë mbështetur këto marrëveshje sot në Kuvendin e Kosovës.

“Falënderues për mbështetjen e secilit deputet dhe secilës deputete. Bashkë, sot dëshmuam se Republika jonë është për bashkëpunim të mirë rajonal dhe për progres dhe ecje të shpejtë në jetësimin e Tregut të Përbashkët Rajonal”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka thënë se këto marrëveshje do të sjellin përfitime për të gjithë në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Shtetet e Ballkanit Perëndimor së bashku përbëjnë një treg me rreth 18 milionë banorë. Marrëveshjet që ratifikuam sot për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, njohjen e ndërsjellë të diplomave të arsimit të lartë dhe njohjen e ndërsjellë të profesioneve të mjekut, stomatologut dhe arkitektit në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, do të rrisin mobilitetin e studentëve, punëtorëve dhe bizneseve do të sjellin përfitime për të gjithë. Shpresojmë që edhe vendet tjera nënshkruese të ndjekin ritmin e njëjtë ashtu që të mirat për qytetarët tanë të fillojnë sa më parë”, ka shkruar ai në fund. 

(Kosova Sot Online)