Berisha: Garantoj qytetarët për trefishim të rrogave

  • A.P /
  • 20 March 2023 - 14:22
Berisha: Garantoj qytetarët për trefishim të rrogave

Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi sot në konferencën për shtyp se rritja e pagave ka qenë dhe do jetë objektiv themelor i Partisë Demokratike, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Por Berisha tha se kryeministri Edi Rama po bën një akt kriminal zgjedhor me premtimet e tij për rritje pagash përpara votimeve.

“PD denoncon të turpshme, antiligjore, antikushtetuese përdorimin e qindra milionë eurove për qëllime elektorale nga Edi Rama.

Garantoj qytetarët se jo dyfishimi i rrogave, por trefishimi do jetë objektiv numër një i qeverisjes së PD.

Por rritjet e rrogave, në asnjë vend të lirë, nuk bëhen para zgjedhjeve, para votimit të qytetarëve. Ai që bën një akt të turpshëm është një kriminel elektoral, një bandit i vërtetë, një mashtrues ordiner.

Pagat e ulëta duhet të dyfishohen dhe ne i garantojmë të gjithë punonjësit që pagat në të gjithë piramidën shtetërore do dyfishohen. Por këto akte nuk merren kurrë me qëllim për të ndikuar votën e qytetarëve.

Thirrja e tij për rritjen e rrogave të ulëta është një demagogji, pasi ajo nuk bëhet me vullnet, ajo është një thirrje thjesht propagandistike.

PD do depozitojë në parlament ligjin për dyfishimin e rrogave të ulëta si akt i parë. Ky ligj do jetë i detyrueshëm për çdo institucion të këtij vendi, për çdo sipërmarrje të këtij vendi.

Ne këto veprime nuk i bëjmë për propagandë, ne i bëjmë se kemi bindje se një ndëshkim madhor më kryesor i këtyre 9 viteve ka qenë ngrirja e rrogave dhe pensioneve, de facto ulja e frikshme e tyre për shkak të inflacionit,” tha Berisha.

(Kosova Sot Online)