Ja kur dorëzohet drafti i statutit të Asociacionit

  • A.P /
  • 20 April 2023 - 17:00
Ja kur dorëzohet drafti i statutit të Asociacionit

Më 2 maj, Brukseli sërish do të jetë vendtakimi i liderëve të Kosovës e Serbisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Emisari special i SHBA’së, Gabriel Escobar, tha se presin që në këtë takim propozime iniciale për formimin e Asociacionit.

“Ne presim propozime fillestare për formimin e Asociacionit, por presim gjithashtu një afat kohor për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo do të thotë se të gjitha palët duhet të vijnë të përgatitura”, ka thënë emisari amerikan për mediumin serb “Tanjug”.

 Escobar tha se “shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret”.

Më 2 maj në tavolinën negociuese do të dorëzohet një draft për statutin e Asociacionit nga Kosova, por deri tash nuk dihet asgjë për të dhe as për ekipin që do të bëjë prezantimin.

Përbërja e Ekipit Menaxhues nuk është bërë publike deri më tani, përveçse dihet që në krye të tij është një deputete e Kuvendit të Serbisë. Ky ekip, anëtarët e të cilit janë ndërruar ndër vite, pati bërë njëherë një propozim, por që i ishte hedhur poshtë.

(Kosova Sot Online)