Bislimi mirëpriti në takim Gert Jan Koopman

  • A.P /
  • 17 May 2023 - 18:43
Bislimi mirëpriti në takim Gert Jan Koopman

Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman, e priti sot në takim zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Tutje thuhet se u vlerësua progresi i vendit, ku u tha se Kosova ka dëshmuar të arritura në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Puna dhe përkushtimi ynë do të vijojë në zbatimin e MSA-së, përmes dhe fuqizimit të kapaciteteve për zbatim dhe koordinim të reformave.

“Politikat qeveritare për punësim dhe drejtësi, janë në sinkron me pritjet e Komisionit Evropian dhe për këtë u konfirmua gatishmëria për të mbështetur Qeverinë, përfshirë me asistencë teknike dhe projekte konkrete. Pakoja energjetike dhe përkrahja e pakos vjetore nga IPA 2023 me 75 milionë euro, ishin gjithashtu në fokus të diskutimeve me theks në masat për kursimin dhe diversifikimin e energjisë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se në këtë takim u diskutua dhe në lidhje me Reformën e Administratës Publike me theks në dy ligjet bazë dhe Racionalizimin e Agjencive si dhe për procesin e reformës gjyqësore, vetingun, përpjekjet për adresimin e dhunës në familje dhe reformat tjera në fushën e sundimit të ligjit.

“U përgëzua Kosova për pakot dhe reformat socio-ekonomike, si dhe për performancën ekonomike të vendit, duke shënuar përmirësime në indikatorë të rëndësishëm, ku synimi është vazhdimi i trendit pozitiv dhe impaktit e fryteve edhe në të ardhmen të politikave publike të adoptuara”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, vazhdon njoftimi se potenciali për investime dhe sektori i IT, potenciali i të rinjve dhe rritja e punësimit, ishin gjithashtu ndër temat e prekura përgjatë diskutimit.


(Kosova Sot Online)