Arrestohen 3 zyrtarë të postës së Kosovës

  • A.P /
  • 30 May 2023 - 16:49
Arrestohen 3 zyrtarë të postës së Kosovës

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka arrestuar zyrtarë të postës – dega në Kaçanik, R.L., K.Z. dhe A.Ç. pasi dyshohet se kanë falsifikuar nënshkrimet e konsumatorëve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas njoftimit të policisë, tre të dyshuarit gjatë ushtrimit të detyrës në vazhdimësi nga 01.12.2022 deri 31.12.2022, kishin manipuluar në librin e dorëzimit të Dërgesave të Regjistruara të kësaj Zyre Postare, me dyshimin se në 28 dërgesa janë falsifikuar nënshkrimet e konsumatorëve.

Sipas njoftimit, në këtë mënyrë zyrtarët e Postës së Kosovës, kanë rrezikuar kontratën mes Postës së Kosovës dhe një kompanie, me pasoja të mëdha financiare, në dëm të Postës së Kosovës.

“Sot me datë 30.05.2023, është siguruar prezenca e të dyshuarve të sipër cekur. Pas intervistës dhe analizës së gjitha provave/dëshmive është ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i arsyeshëm se: të dyshuarit R.L., K.Z. dhe A.Ç. kanë kryer vepër penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar””, thuhet nw njoftim tw policisw.

Sipas tyre, për të gjitha veprimet hetimore është koordinuar Prokurori kompetent dhe tre të dyshuarit pas intervistës në prezencë të avokatit mbrojtës, me vendim të Prokurorit janë ndaluar për 48 orë për proceduar të mëtejme.

(Kosova Sot Online)