Hoti: Kosova ka dalë fituese duke bërë politikë të mençur, e jo politikë të forcës

  • A.P /
  • 31 May 2023 - 19:25
Hoti: Kosova ka dalë fituese duke bërë politikë të mençur, e jo politikë të forcës

 “Kosova ka dalë fituese duke ndjekur këshillat e aleatëve, e jo duke u konfrontuar me ta”, ka theksuar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Këto komente ai bëri pas deklaratave të rënda të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili kishte kritikuar kreun e ekzekutivit kosovar për ndërhyrjen në Veri të Kosovës, ku Policia asistoi për t’i futur në zyrat e tyre kryetarët e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, çka solli një reagim të ashpër nga serbët lokalë.

“Unë mendoj se nuk është vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive. Ndoshta sekretari Blinken do ta shpjegojë këtë më tej një ditë, por definitivisht nuk ishte e dobishme”, ka thënë Kurti të martën në përgjigjen e tij ndaj Blinken.

Por për ish-kryeministrin e Kosovës, këshillat e miqve ndërkombëtar e bëjnë Kosovën fituese, dhe jo konfrontimi me ta.

“Kosova nuk ka dobi nga veprime të cilat sado të drejta që duken në shikim të parë, na dëmtojnë qëllimin tonë afatgjatë — që është integrimi në BE e NATO dhe miqësia e përhershme me ShBA-në”, shkroi Hoti në Facebook.

Ndërkaq, ai theksoi se “Kosova ka dalë fituese duke bërë politikë të mençur, e jo politikë të forcës”.

(Kosova Sot Online)