Ja qytetet më të shtrenjta për të jetuar

  • A.P /
  • 07 June 2023 - 20:31
Ja qytetet më të shtrenjta për të jetuar

Hong-Kongu, Singapori dhe Zurich kryesojnë listën e qyteteve më të shtrenjta për të jetuar, sipas një sondazhi të ri nga grupi konsulent Mercer, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Pas falimentimit të Credit Suisse, një nga simbolet e sistemit bankar zviceran, kohërat janë të vështira për zviceranët, por reputacioni i Zvicrës si vend i preferuar nga kapitali i madh, si dhe pagat e larta, reflektohet edhe në çmime: katër nga pesë qytetet evropiane më të shtrenjta në listën globale të top-10 janë qytete zvicerane, Zuerichu (e treta), Gjeneva (e katërta), Baseli (e pesta) dhe Berna (e shtata).

Kryeqyteti danez Copenhagen kompleton kuintetin evropian. Qytete të tjera të shtrenjta në Evropë janë Londra, Vjena, Amsterdami, Praga dhe Helsinki. Nga Spanja, Barcelona është në vendin e 75-të, kurse Madridi në vendin e 83-të.

“Konkurrenca në tregun global është e ashpër dhe kriza e kostos së jetesës po prek si punonjësit ashtu edhe kompanitë, të cilët duhet të jenë më fleksibël”, ka thënë Yvonne Traber, partnere globale e lëvizshmërisë në Mercer.

Çmimet nuk janë e vetmja gjë që ndikon në atraktivitetin e qyteteve që duan të tërheqin kompani dhe punëtorë të rinj.

“Një faktor po aq i rëndësishëm është cilësia e përgjithshme e jetës që ofron një qytet. Nga ana tjetër, rreziqet dhe çështje të tjera negative, të tilla si fatkeqësitë natyrore, trazirat politike ose ekonomike, shkalla e lartë e krimit, infrastruktura e dobët dhe lidhja e pamjaftueshme ndërkombëtare mund të jenë pengesat kryesore për kompanitë dhe punonjësit e tyre”, ka thënë Traber.

Ndër ato që avancuan më shumë pozicione ishte Singapori, një nga qendrat më të rëndësishme të biznesit në botë, me një prani të konsiderueshme të kompanive shumëkombëshe në sektorë si financa, logjistika, tregtia dhe transporti, të cilët u ngjitën me gjashtë vende në tabelë në vendin e dytë.

Singapori është detyruar të promovojë politika për të zbutur çmimet në rritje të pronave për shkak të fluksit të emigrantëve, duke përfshirë një sërë zbritjesh për vendasit që kërkojnë të blejnë një shtëpi. Nassau në Bahamas, dhe Los Angeles në Kaliforni, gjithashtu u ngjitën gjashtë vende në vendin e 10-të përkatësisht të 11-të. Ky i fundit është qyteti i dytë më i shtrenjtë në SHBA, vetëm pas New Yorkut (i gjashti), i ndjekur menjëherë nga San Francisko (i 13-ti), sipas El Pais.

Tel Avivi mbetet qyteti më i shtrenjtë në Lindjen e Mesme, në vendin e 8-të në tabelën globale. Dubai (18) dhe Abu Dhabi (43), të dy në Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe Riadi (85) dhe Jeddah (101) në Arabinë Saudite u ngjitën lart në listë.

(Kosova Sot Online)