Qeveria e Kosovës merr vendim: Në të gjitha pikat kufitare ndalohet hyrja e të gjithë kamionëve që bartin mallra të Serbisë

  • A.P /
  • 14 June 2023 - 19:37
Qeveria e Kosovës merr vendim: Në të gjitha pikat kufitare ndalohet hyrja e të gjithë kamionëve që bartin mallra të Serbisë

Që ta ndalojë hyrjen e të gjitha mallrave serbe në tregun e Kosovës, ka marrë vendim Qeveria e Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Siç mund ta kuptoni nga korrespondenca e ardhur nga QKMK, që nga ky moment në të gjitha pikat kufitare, ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës të të gjithë kamionëve me tabela të Serbisë si dhe të gjithë kamionëve që bartin mallra të Serbisë”, thuhet në urdhëresë.

“Ju lutem ta njoftoni stafin tuaj dhe sigurohuni që stafi zbatues janë njoftuar me këtë urdhëresë. Ju do të jeni në njohuri me kohë për vendimet e radhës”, thuhet në fund

Tanimë të gjitha pikat doganore në Kosovë, kanë pranuar urdhrin se nga sot, të gjitha mallrat serbe duhet të kthehen prapa.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës vjen pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë kufitarë të Kosovës në veri nga njësite serbe brenda territorit të Kosovës.

Institucionet e Kosovës kanë reaguar me shpejtësi, duke e kërkuar lirimin e shpejtë të zyrtarëve policorë si dh kanë kërkuar nga ndërkombëtarët trysni mbi Serbinë.

Serbia në anën tjetër, pretendon se zyrtarët e arrestuar policorë të Kosovës, janë kapur brenda territorit serb.

(Kosova Sot Online)