Djali i Biden do të pranojë fajësinë

  • A.P /
  • 20 June 2023 - 16:53
Djali i Biden do të pranojë fajësinë

Djali i presidentit amerikan Joe Biden, Hunter Biden, ka rënë dakord të pranojë fajësinë për akuzat federale që lidhen me mospagimin nga ana e tij të taksave federale, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Hunter Biden është akuzuar për mospagim të taksave federale mbi të ardhurat dhe posedim të paligjshëm të një arme dhe sipas një dokumenti të paraqitur në Gjykatën e Dellauerit ai ka arritur një marrëveshje mbi akuzat e ngritura me Departamentin e Drejtësisë.

Si pjesë e marrëveshjes, të bërë publike të martën, Hunter Biden do të deklarohet fajtor për kundërvajtje tatimore dhe pritet të arrijë një marrëveshje me prokurorët për akuzën penale të mbatjes së paligjshme të një arme zjarri si dhe përdorim droge. Është disi e pazakontë që një çështje penale federale të zgjidhet në të njëjtën kohë kur akuzat paraqiten në gjykatë, megjithatë nuk është konsideruar si një rast krejtësisht i padëgjuar.

Marrëveshja i jep fund një hetimi të gjatë që Departamenti i Drejtësisë ka kryer ndaj Hunter Biden-it, i cili ka pranuar se po lufton me varësinë ndaj drogës që pas vdekjes së vëllait të tij Beau Biden në vitin 2015. Ky zhvillim gjithashtu shmang një proces gjyqësor që do të zinte faqet e para të shtypit duke krijuar shpërqendrim për Shtëpinë e Bardhë që është përpjekur me forcë të ruajë distancën me Departamentin e Drejtësisë.

Lajmi vjen ndërsa republikanët e Kongresit po kryejnë hetimet e tyre në pothuajse çdo aspekt të marrëdhënieve të biznesit të Hunter Biden-it, përfshirë pagesat e kryera jashtë vendit dhe aspekte të tjera të financave të tij. Ky zhvillim vjen gjithashtu disa ditë pas ngritjes së një padie federale kundër ish-presidentit Donald Trump për mbatje të qëllimtë dhe të paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Florida.

Presidenti Joe Biden është përballur gjithashtu me pyetje në lidhje me marrëdhëniet e biznesit të djalit të tij dhe varësinë nga droga.

Në akuzën për armëmbatje thuhej se në tetor 2018, Hunter Biden mbajti për 11 ditë një pistoletë (Colt Cobra 38), pavarësisht se e dinte se ishte përdorues droge. Akuza mbart një dënim maksimal deri në 10 vjet burg, por Departamenti i Drejtësisë thotë Hunter Biden ka arritur një marrëveshje paraprake për këtë akuzë. Detajet e plota ende nuk dihen.

Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë ende asnjë koment mbi këtë çështje.

(Kosova Sot Online)