Rexhep Qosja sot mbush 87 vjet

  • A.P /
  • 25 June 2023 - 17:37
Rexhep Qosja sot mbush 87 vjet

Sot mbushi 87 vjet, akademiku Rexhep Qosja, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Me këtë rast, krerët e shtetit shqiptar e uruan Qosjen për ditëlindje, si dhe e vlerësuan lart figurën e tij.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj për Qosjen u shpreh se është pasuri kombëtare.

“Shumë urime për ditëlindje Akademikut Rexhep Qosja! Profesor Qosja është një pasuri kombëtare e mendimit të cilin e ka shprehur me shqipen plot elegancë në krijimtarinë e tij shkencore, historike, letrare, artistike dhe publicistike. Jetë të gjatë e të lumtur Profesor!”, shkroi Begaj në Facebook.

Me rastin e 87-vjetorit të lindjes, Qosjen e uroi edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla. Ajo i uroi shëndet e jetë të gjatë.

“Sot, në ditën e lindjes, i uroj akademikut të shquar, Rexhep Qosja, shëndet, jetë të gjatë e të lumtur dhe vijimin e krijimtarisë së Tij të begatë, në shërbim të shqiptarëve!”, shkroi Nikolla në Facebook.

Rexhep Qosja ka lindur më 25 qershor të vitit 1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Ai është historian letërsie, kritik letrar, shkrimtar, publicist, politikan dhe akademik. Ai është autor i disa romaneve të njohura.

(Kosova Sot Online)