Marshi që ia lëkundi karrigen Putinit

  • A.P /
  • 26 June 2023 - 15:49
Marshi që ia lëkundi karrigen Putinit

Thuhej se Putinit mund t’i lëkundeshin themelet vetëm nga brenda Rusisë. Por, nuk pritej që këtë ta niste Yevgeny Prigozhin, lideri i forcave të Wagnerit, shërbyesit shumëvjeçar i Presidentit rus. Paramilitari i famshëm rus mund ta ketë pasur edhe përnjëmend, por rebelimi zgjati vetëm disa orë me një fund të palavdishëm duke ngjallur dyshime se mund të ishte edhe një inskenim. Prigozhin përfundoi në ekzil në Bjellorusi, që udhëhiqet nga kukulla e Putin, Alexander Lukashenko, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Yevgeny Prigozhin, dikur shitës i “hot-dog”- ëve nga Leningradi, tani është udhëheqësi i forcave famkeqe mercenare ruse “Wagner” dhe – deri tani – aleat i besueshëm i presidentit rus, Vladimir Putin.

Në një video që Prigozhin publikoi të enjten, fillimisht po e akuzonte dhe po e fyente ministrin e Mbrojtjës, Sergei Shoigu, duke thënë se ai është një oligark që s’ka mbajtur kurrë armë në dorë. Prigozhin thoshte se Ministria e Mbrojtjes e kishte mashtruar Putinin rreth pushtimit të Ukrainës.

Vendimi për agresion, sipas tij, nuk kishte të bënte me “antinazizëm”, apo “demilitarizim”, ose me atë se Rusisë po i kanosej rreziku për sulm nga NATO. Sipas liderit të Wagnerit, gjithçka kishte të bënte me dëshirën e ministrit Shoigu për të hyrë në histori, për të marrë medaljen “heroi i Rusisë”.

Kjo video e Prigozhinit nuk ishte diçka e jashtëzakonshme. Me muaj të tërë, vritualisht, ai kishte folur kundër liderëve ushtarakë të Rusisë. Ai e ka akuzuar Shoigun dhe Kryekomandantin rus, Valery Gerasimov, se kishin privuar trupat e Wagnerit nga municioni; se kanë sakrifikuar ushtarë rusë në misione katastrofike dhe se kanë rrethuar Ukrainën lindore për ta plaçkitur. 

Konflikti mes Prigozhinit dhe zyrtarëve shtetërorë eskaloi më 10 qershor, kur Ministri i Mbrojtjes ruse tha se ushtarët e Wagnerit do të duhej të nënshkruanin kontrata me ministrinë e tij. I binte se më Wagner nuk do të ekzistonte. Putin dukej se e kishte miratuar këtë propozim. Prigozhini, aleati i besuar i Putinit, ishte në një udhëkryq; ta pranonte vendimin e Putinit, ose të luftonte kundër.

Përgjigjja erdhi të premten mbrëma kur ai postoi një video tjetër në kanalin e tij, në Telegram. Aty tregoheshin pasojat e një goditjeje me raketa në kampin e kamufluar të Wagnerit. Lokacioni ishte dikur në Donbas.

Prigozhin pretendonte se ministria e Mbrojtjes së Rusisë e kishte kryer sulmin, duke shkaktuar “shumë viktima”.

“Sipas dëshimtarëve okularë, goditja u krye nga mbrapa”, ka shkruar ai.

Video Player

00:00

00:05

Me këtë, Prigozhin kishte një arsye për të nisur një plan të jashtëzakonshëm. Wagneri ishte gati ta pushtonte Rusinë.

Sipas New York Times, Prigozhini e kishte menduar një kryengritje që një kohë. Agjencitë amerikane të spiunazhit kishin parë shenja për një komplot serioz. Zyrtarët e inteligjencës kishin informuar udhëheqjen amerikane të enjten që shkoi. Nga kjo, ishte një shqetësim, çka ndodh me arsenalin nuklear të Rusisë, nëse bie në duar të gabuara?

Moska, në të kundërtën, dukej se ishte në terr për qëllimet e Prigozhinit, shkruan The Guardian. Të premten në mbrëmje një kolonë automjetesh të blinduara me ushtarë të Wagnerit, doli nga Ukraina. Ata e kaluan kufirin dhe hynë në një qytet rus me më shumë se një milion banorë, që përdorej si qendër logjistike për luftën e Ukrainës. Askush nuk i ndaloi.

Qytetarët rusë duke u fotografuar me tankët e Wagner-it

Edhe figurat e larta ushtarake dukeshin të kënaqura të takonin Prigozhinin. Ai bisedoi me zëvendës ministrin e mbrojtjes, Yunus-bek Jevkurov dhe zëvendës shefin e shtabit të përgjithshëm, Vladimir Aleksejev. Kërkoi largimin e Shoigu dhe Gerasimov dhe shtoi, në fakt, se nëse dëshirat e tij nuk do të përmbusheshin, ai do të çonte mini-ushtrinë e tij në portat e Moskës.

Këto zhvillime të paparashikuara tronditën Kremlinin. Ato përbënin sfidën më të madhe ndaj autoritetit të Putinit që kur ai u bë president në vitin 2000. Presidenti rus kishte luftuar kundër Perëndimit për vite, duke akuzuar krerët në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar për kërkimin e destabilizimit të regjimit të tij. E megjithatë ishte Prigozhin, një mik dhe pronar restoranti që i kishte shërbyer personalisht Putinit darkën në Shën Petersburg, i cili mbante thikën.

Në orën 10 të mëngjesit të së shtunës, Putin iu drejtua kombit. Duke u dukur me fytyrë të bardhë dhe i tërbuar, ai akuzoi Wagnerin për rrezikimin e kushtetutës dhe kryerjen e tradhtisë. Ai premtoi ndëshkim të ashpër dhe masa ligjore kundër “rebelëve”.

Në Moskë, policia ndërtoi barrikada ndërsa u dërguan makina të blinduara për të mbrojtur ministritë dhe ndërtesat kryesore. Një mori avionësh u larguan. Inteligjenca ukrainase pretendonte se Putin kishte ikur në veri për në banesën e tij pranë liqenit Valdai.

Në mesditë rebelët ishin në lëvizje. Videot kapën dhjetëra automjete, duke përfshirë një sistem të mbrojtjes ajrore.

The Guardian shkruan se si në fillim disa vëzhgues pyesnin veten nëse Prigozhin e kishte koordinuar fshehurazi kryengritjen e tij me Kremlinin. Ky version konspirativ doli të jetë i gabuar. Përpjekja e lehtë e Prigozhinit për grusht shteti, ose marshimi për drejtësi siç e quajti ai, ishte real.

Ushtarët e tij qëlluan një helikopter Ka-52, duke vrarë ekuipazhin e tij. Ata shkatërruan një avion Il-18. Të paktën 15 ushtarakë rusë vdiqën. Shumica ishin pilotë luftarakë.

Përderisa forcat e Wagnerit po thelloheshin të shtunën në Rusi, në Ukrainë kishte nisur ngazëllimi. Nëse do të kishte sukses, kryengritja mund të nënkuptonte fundin e pushtimit të përgjakshëm të Rusisë. Ose të Putinit. Ose shpresonin që të dyja, shkruante The Guardian.

Pastaj rreth orës 20:00 pati një kthesë tjetër të jashtëzakonshme. Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, njoftoi se rebelimi ishte ndërprerë pas negociatave të tij. Këtë e konfirmoi shpejt Prigozhin me një audio-njoftim. Të dy palët kishin rënë dakord për një marrëveshje. Progozhin tha se ndjekësit e tij donin të shmangnin gjakderdhjen. Ata kishin arritur brenda dy orësh me automjetet e tyre në Moskë, por do të ktheheshin në “kampet e tyre fushore” në lindje të Ukrainës.

Kremlini dha detaje shtesë. Zëdhënësi i shtypit i Putinit, Dmitry Peskov, tha se askush nga Wagner nuk do të ndiqet penalisht. Ushtarët e grupit mercenar mund të bashkoheshin me ushtrinë e rregullt, ose jo. Dhe, më e rëndësishmja, Prigozhin do të shkonte në ekzil në Bjellorusi. Këto kushte dukeshin çuditërisht të buta. Putin kishte burgosur më parë krerët e opozitës për periudha të gjata ndëshkuese. Kritikët e tij kishin vdekur në mënyra misterioze.

Për Putinin, ishte një arratisje e ngushtë nga një moment jashtëzakonisht i rrezikshëm. Ai del nga kriza një figurë më e dobët dhe më e prekshme. Reputacioni i tij për udhëheqje tani ka shkuar.

Zyrtarët ukrainas janë lumturuar me ngjarjet në Rusi. Yuri Saks, këshilltar në ministrinë e mbrojtjes e përshkroi kryengritjen si qesharake, të çuditshme dhe bizare dhe si një “luftë mes llojit dhe fraksioneve të ndryshme në një shtet terrorist”. Për Kyivin, Moska po korr atë që ka mbjellur dhe presin turbulenca të tjera në regjimin vrasës të Putinit.

Presidenti rus, të dielën, donte të jepte përshtypjen se bëhej fjalë për diçka të zakonshme. Ai u zotua të vazhdojë “operacioni special ushtarak”, në një intervistë, që, siç shkruan The Guardian, ishte incizuar para kryengritjes. 

Nga Prigozhin nuk ka pasur asnjë shenjë të dielën. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ai është në Bjellorusi, apo diku tjetër. Duket se nuk ka gjasa që ai dhe Putini të mund të bashkëjetojnë për një kohë të gjatë, edhe nëse Prigozhin pranon të qëndrojë në Minsk.

Shefi i Wagner është bërë një rival dhe pretendues, dhe një president i mundshëm pas Putinit. Siç shkruan The Guardian, Përpjekja e tij për grusht shteti mund të ketë mbaruar tani për tani, por Rusia po hyn në një fazë të re dhe të paparashikueshme. 

(Kosova Sot Online)