IKD: Qeveria përmbushi 42% të agjendës së planifikuar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023

  • S.A /
  • 01 July 2023 - 10:32
IKD: Qeveria përmbushi 42% të agjendës së planifikuar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thekson se Qeveria e Kosovës ka përmbushur 42% të programit legjislativ për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, ku përfshihen 34 projektligje të miratuara nga 78 të planifikuara.

Në raportin e IKD-së thuhet se Qeveria nuk përmbushi standardet e konsultimit publik në afërsisht 50% të projektligjeve.

“Qeveria e Kosovës e ka miratuar programin legjislativ me 25 janar 2023, përderisa me 11 janar 2023, ajo ka miratuar dy projektligje ende pa miratuar programin legjislativ. Deri në fund të muajit qershor, Qeveria ka përmbushur vetëm 42% të agjendës legjislative të paraparë për gjashtë mujorin e parë të vitit 2023.

Sipas agjendës legjislative, Qeveria kishte planifikuar miratimin e 78 projektligjeve deri në muajin qershor.  Përderisa, deri më 30 qershor 2023, Qeveria  ka miratuar 33 prej tyre, apo 42% të projekt-ligjeve të planifikuara.  Qeveria gjatë kësaj periudhe kohore ka miratuar një projekt-ligj të planifikuar për muajin shtator të këtij viti”, thuhet në raport.

KD thekson se edhe përkundër obligimit ligjor që projekt ligjet e inicuara nga ana e qeverisë dhe ministrive të linjës të kalojnë përmes konsultimit publik, nga 34 projektligjet e miratuara në Qeveri, IKD ka gjetur se 21 prej tyre është dashur t’i nënshtrohen procesit të konsultimit publik, gjë që e ka bërë vetëm në 11 raste apo 52% të rasteve, derisa ky obligim nuk ka vlejtur në raport me 13 projektligje që kanë të bëjnë me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Vetëm gjatë këtij gjashtë mujori të parë të vitit 2023, Qeveria e Kosovës ka plotësuar dhe ndryshuar tre herë programin legjislativ.  Programi Legjislativ i miratuar me 25 janar të këtij viti fillimisht përmbante 100 projektligje, por pas ndryshimit dhe plotësimit të programit legjislativ me 31 janar 2023, 9 mars 2023, dhe me 12 prill 2023 nga ana e Qeverisë dhe pas miratimit të projektligjeve jashtë planifikimeve, numri i projektligjeve të planifikuara për miratim deri në fund të vitit 2023, arriti në 131 projektligje”.

Po ashtu sipas raportit të IKD-së, Qeveria nuk përfshiu në programin legjislativ për vitin 2023, 26 projektligje, të cilat kanë qenë në plan programin legjislativ për vitin 2022, dhe të cilat nuk janë miratuar gjatë vitit të cekur.

“Në mesin e këtyre projektligjeve janë ai për Këshillin Ekonomiko-Social, projektligji për Inspektoratin e Punës, projektligji për Shërbimet Sociale dhe Familjare, projektligji për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuar.

Më tutje, Qeveria nuk përfshiu miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve në Ligjin për  Policinë, në Ligjin për Institutin e Kosovës për Administratë Publike, në Ligjin për Ripranim, në Ligjin për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, në Ligjin për Organizimin e Institutit Bujqësor të Kosovës, Projektligjin për Zonat Ekonomike, Projektligjin për Nxitjen dhe Mbrojtjen e Investimeve, Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Projektligjin për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë”, thuhet në raport.

Ministritë të cilat nuk i përfshinë në agjendën legjislative projektligjet nga viti 2022 janë: Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Ministria e Ekonomisë (ME).

 

Lista e pr

ojekt-ligjeve që janë paraparë për miratim gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2023, përfshinë ligje që ndërlidhen me përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare në procesin e integrimit evropian por edhe ligje tjera me interes publik në sferën e shërbimit të jashtëm, drejtësisë, medias, politikave sociale, pensionale dhe të shëndetësisë, etj.

Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson më tej se Lista e ligjeve të mbetura, përfshinë, Projekt Kodin Civil, Projektligjin për Shërbimin e Jashtëm, Projektligjin e punës, Projektligjin për Diasporën, Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, Projektligjin për Noterinë, Projektligjin për Gjykatat, Projektligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligjin për të Huajt, Projektligjin për Gjendjen Civile, Projektligjin për Shëndetësi, Projektligjin për Sigurime Shëndetësore, Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Shëndetësisë, Projektligjin për vlerësimin dhe shqyrtimin e akteve të komunave, Projektligjin për Banimin Social, Projektligjin për Inspektoratin për Mbikëqyrjen e Tregut, Projektligjin për Regjistrin e Pronarëve Përfitues, Projektligjin për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë etj.

Sa i përket nivelit të zbatimit të programit legjislativ nga ministritë përkatëse, IKD gjen se nivelin më të lartë të miratimit të projektligjeve e ka arritur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me 100% të projektligjeve të miratuara, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me 100%, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me 100%, Zyra e Kryeministrit me 75%, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me 57 %, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me 43%, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me 25% etj.

Ndërkaq, asnjë projektligj, përkundër planifikimeve nuk ka arritur ta procedojë për miratim Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Ekonomisë.

IKD, gjen se në një rast Qeveria e Kosovës, në kundërshtim me afatet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, vendos për Projektligjin për Skemat Pensionale, duke rrezikuar të drejtat e mijëra pensionistëve.

“Më 30 dhjetor 2023, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi paragrafin 2 të nenit 8 te Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale, sepse në mënyrë diskriminuese përmes këtij neni mijëra qytetarë, duke mos e përmbushur kriterin e përvojës prej 15 viteve pune para janarit të vitit 1999 nuk e kanë gëzuar pensionin kontribut dhënës, por vetëm atë të moshës. Gjykata urdhëroi Kuvendin dhe Qeverinë që të nisin ndryshimet për këtë ligj dhe që këto ndryshime të bëhen jo më larg se data 15 korrik 2023.

Përkundër premtimeve të qeverisë, projektligji ende nuk është miratuar nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës”, thuhet më tej.

IKD, gjen se në një rast tjetër, në kundërshtim me Kushtetutën dhe duke u arsyetuar në miratimin e një neni të caktuar në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2023, Qeveria nuk i kishte transferuar të hyrat vetanake të komunave, duke bërë që mjetet, të cilat komunat i kanë mbledhur nga viti 2022 dhe vitet e tjera paraprake të bëhen pjesë e buxhetit qendror.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, komunat e kanë të drejtën e vendosjes, caktimit, mbledhjes dhe shpenzimit të të hyrave vetanake dhe në të njëjtën kohë të marrin fonde nga Qeveria e Kosovës.

(Kosova Sot Online )