KQZ-ja nën ethet e zgjedhjeve te reja, fillon procesin e harmonizimit të rregulloreve zgjedhore me ligjin e ri të zgjedhjeve

  • S.A /
  • 10 July 2023 - 12:05
KQZ-ja nën ethet e zgjedhjeve te reja, fillon procesin e harmonizimit të rregulloreve zgjedhore me ligjin e ri të zgjedhjeve

Vetëm pak ditë pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme u publikua në Gazetën Zyrtare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me procesin e harmonizimit të Rregulloreve Zgjedhore me këtë ligj.

Lajmi bëhet i ditur përmes një njoftimi nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se pas miratimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme nga Kuvendi i Kosovës, KQZ ka evidentuar ndryshime në çështje të caktuara të procesit zgjedhor.

Më tej, Elezi ka treguar se çka do të përfshihet në harmonizimin e akteve nënligjore.

“Në këtë proces të haronizimit janë përfshirë disa Rregullore Zgjedhore, të cilat kanë të bëjnë me regjistrimin dhe funksionimin e partive politike; certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve; regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës; themelimin dhe ndërrimin e qendrave të votimit; fushatën e zgjedhjeve dhe vëzhguesit; regjistrimin dhe votimin e personave me nevojat e veçanta; këshillat e vendvotimeve; votimin dhe numërimin e fletëvotimeve; Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe për Qendrat Komunale të Numërimit”, njoftoi Elezi.

Siç bëhet e ditur nga KQZ-ja, pjesë e procesit janë edhe përfaqësues nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe nga Misioni i OSBE-së.

( Kosova Sot Online)