
Hasani: Ja nga kush u mashtrua Albin Kurti

Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori Enver Hasani, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kuptoi që këshilltarët e brendshëm dhe të jashtëm e kanë mashtruar sepse i thanë që nëse nuk e nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit, Kosova mund të zhbëhet si shtet dhe se çnjohjet dhe izolimi do të niste, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Këta këshilltarë të njëjtë që Hasani thotë se “e mashtruan” Kurtin, nisën më pastaj t’i thonë atij se “nuk është fer që vetëm palës kosovare t’i kërkohet zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, në rend të parë formimi i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe”.
Me Marrëveshjen e Ohrit, thotë Hasani, “ai (Kurti) e hoqi çështjen e njohjes së Kosovës nga agjenda e dialogut me Serbinë”.
“Kur e kuptoi të gjithën këtë, ai nisi të menaxhojë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke krijuar kriza me qëndrime radikale, më pastaj duke e kontrolluar, dhe më pastaj duke u zmbrapsur”, ka thënë profesor Hasani.
(Kosova Sot Online)