Pse u rrah lypsari nga Mitrovica?

  • A.P /
  • 18 July 2023 - 15:30
Pse u rrah lypsari nga Mitrovica?

Për sulmin fizik që dikush ia ka bërë, një lypsar 29-vjeçar nga Mitrovica ka rrëfyer mes lotësh, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai deklaron se e njeh sulmuesin sepse shprehet se i njëjti e “ka diskotekën”. Nëna e tij ka deklaruar se biri i saj u sulmua për arsye të panjohura dhe i njëjti ishte dërguar për trajtim mjekësor nga shokët e tij. Policia ka konfirmuar për Express nisjen e hetimeve për zbardhjen e këtij rasti.

Lypsari që është i njohur për banorët e Mitrovicës tregoi se ndjen dhimbje “kah këmbët” dhe shihet se njërën këmbë e ka të lidhur edhe me fashë.

Nëna e tij shtoi se “djalin e ka të sëmurë”.

Zëdhënësi i policisë rajonale të Mitrovicës, Avni Zahiti, tha se rasti është duke u hetuar në drejtim të veprës penale “sulmi”.

“Policia ka nisur hetimet në drejtim të veprës penale sulmi, viktima dyshohet se është sulmuar në sheshin e Mitrovicës”, tha Zahiti

Prokuroria Themelore e Mitrovicës nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij lajmi.

Nëkryetari i Mitrovicës, Arian Tahiri, njoftoi se sot ka vizituar 29-vjeçarin duke theksuar se ndjehet thellësisht i prekur me atë që i ka ndodhur atij.

“Iu zotova se do të bëjë çdo gjë që është e mundur për t’i qëndruar pranë deri në shërim, edhe si Komunë edhe personalisht”, ka shkruar Tahiri ndër të tjera.

(Kosova Sot Online)