Vuçiç po sillet si një fqinj që e shqetëson një makinë më e mirë

  • A.P /
  • 10 June 2026 - 12:45
Vuçiç po sillet si një fqinj që e shqetëson një makinë më e mirë

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Marjan Sharec, ka kritikuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciq, duke vlerësuar se raporti i tij ndaj Malit të Zi “nuk duket i mirë”, ndërsa si shembull përmendi faktin se ai nuk e uroi Podgoricën për 20-vjetorin e rivendosjes së pavarësisë.

Në një intervistë për Televizionin E, Sharec tha se Mali i Zi e ka bërë punën e vet në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe se kjo sjellje “flet më shumë për udhëheqjen e Serbisë sesa për Malin e Zi”.

“Ngjan ndonjëherë me situatën kur fqinji ka veturë më të mirë dhe kjo shkakton reagime. Mali i Zi e ka kryer detyrën e vet. Samiti në Tivat ishte sukses, nder i madh, por edhe përgjegjësi. Liderët dërguan mesazhe optimiste dhe Mali i Zi po përpiqet të bëhet anëtari i ardhshëm i BE-së”, deklaroi ai.

Duke folur për procesin e integrimit evropian të Malit të Zi, Šarec theksoi se përgjegjësia për suksesin ose dështimin e procesit bie mbi pushtetin, por shtoi se për ndryshimet kushtetuese nevojitet shumicë prej dy të tretash, ndaj është e domosdoshme marrëveshja mes pushtetit dhe opozitës.

Ai vlerësoi se opozita ka dhënë kontribut të rëndësishëm në procesin e integrimeve evropiane dhe shprehu shpresën se palët do të gjejnë kompromis për çështjet që kërkojnë mbështetje më të gjerë politike.

Sipas Sharecit, polarizimi në shoqërinë malazeze mbetet i dukshëm, por ai nuk e konsideron situatën tragjike, pasi negociatat mes aktorëve politikë vazhdojnë dhe askush nuk dëshiron të jetë pengesë për rrugën evropiane të vendit.

Raportuesi evropian tha se zhvillon takime të rregullta me përfaqësues të pushtetit dhe opozitës, ndërsa njoftoi se javën e ardhshme përfaqësues të Partia Demokratike e Socialistëve do të qëndrojnë në Strasburg për konsultime lidhur me procesin integrues.

Ai vlerësoi gjithashtu rolin e komunave në procesin e anëtarësimit në BE, duke theksuar se Bashkimi Evropian ndan fonde të konsiderueshme për komunitetet lokale për shkak të kontaktit të drejtpërdrejtë që ato kanë me qytetarët.

Lidhur me paralajmërimet për një bllokadë të mundshme të procesit negociues nga Holanda, Šarec tha se në politikën evropiane asgjë nuk duhet të befasojë, por shprehu shpresën për një rezultat pozitiv gjatë votimit të raportit në Strasburg javën e ardhshme.

Ai përfundoi se Mali i Zi ka treguar deri më tani aftësi për të gjetur zgjidhje politike dhe se rruga drejt Bashkimit Evropian kërkon bashkëpunim mes të gjitha forcave politike.

(Kosova Sot Online)