Konjufca e pranon: Premtimet s’po realizohen si është pritur

  • A.P /
  • 18 July 2023 - 15:43
Konjufca e pranon: Premtimet s’po realizohen si është pritur

Premtimet që kishte dhënë Lëvizja Vetëvendosje gjatë fushatës, nuk po realizohen me shpejtësinë që është pritur, ka deklaruar kryeparlamentari Glauk Konjufca, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Si sektorin më problematik, e ka konsideruar atë të drejtësisë. Konjufca ka thënë se Ministrja Haxhiu nuk mund ta rregullojë drejtësinë ashtu siç Ministri Sveçla e rregullon Policinë, meqë nuk ka kompetenca të tilla, duke shtuar se kjo po shkakton frustrim te qytetatët, por edhe te vetë partia në pushtet.

Qeveria Kurti 2 i ka bërë më shumë se dy vjet, por disa nga premtimet me të cilat kryeministri Albin Kurti ka fituar pushtetin ende s’janë përmbushur.

Një prej këtyre premtimeve është rritja e pagës minimale. Ky Projektligj është miratuar në lexim të parë qysh në qershor të vitit të kaluar dhe parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht. Në lexim të dytë, ky projektligj ka arritur të miratohet tek pas një viti, saktësisht të enjten.

Sipas rregullores së Kuvendit, projektligji do të duhej të procedohej për lexim të dytë dy-tre muaj pas miratimit në lexim të parë, por kjo s’kishte ndodhur.

Për të hyrë në fuqi, projektligji duhet të nënshkruhet nga Presidentja Vjosa Osmani. Veteranët e UÇK’së i kanë kërkuar Presidentes që të mos e dekretojë këtë ligj, meqë ata s’janë përfshirë në të.

Ndër premtimet kryesore me të cilat i kishte fituar zgjedhjet kryeministri Albin Kurti, ka qenë edhe themelimi i Fondit Sovran, ide të cilën e kishte dhënë para gjashtë vjetësh. Edhe për për këtë premtim, Qeveria Kurti ka lëvizur ngadalë.

Projektligji për themelimin e këtij fondi ka kaluar në qeveri në fillim të qershorit, derisa në lexim të parë ka arritur të miratohet të enjten.  

As për Bankën Zhvillimore, ende s’ka ndonjë hap të bërë, edhe pse kur kërkonte votat e qytetarëvve për t’u bërë kryeministër në 2019’ën, Kurti thoshte se “ne nuk bën të mos e kemi një Bankë Zhvillimore”.

E se premtimet s’po realizohen me shpejtësinë që është pritur, e ka pranuar edhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca.

“Si mazhorancë, kemi dalë aty me disa premtime para qytetarëve. Ndoshta shpejtësia e realizimit të atyre premtimeve nuk është siç është pritë”, ka thënë Konjufca.

Si sektorin më problematik, e ka cilësuar atë të drejtësisë që udhëhiqet nga Ministrja Albulena Haxhiu.

“Po tash në anën tjetër janë edhe këto problemet me mosfunksionimin e drejtësisë, me pamundësinë që ti me prek drejtësinë drejtpërdrejtë”, ka thënë Konjufca.

Ai ka ngritur një paralele mes kompetencave që kanë Haxhiu e Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke thënë se Haxhiu s’mund ta rregullojë drejtësinë ashtu siç Sveçla mund ta bëjë këtë për Policinë.

“…ndoshta edhe vetë po e kuptojnë që disa fusha janë më fruestruese. Psh drejtësia. Ti po mundohesh me luftu korrupsionin, ai shkon atje ia hjek masën e arrestit një krimineli, dikush atje. Qysh mundet me ndodh ajo, e ai masi t’ia hjek del e vran gruan e vetë, ai krimineli. Ti ke dhanë premtime për drejtësi edhe kjo po ndodhë, por Ministrja po tregon se ajo me drejtësinë ka dialogim por nuk mundet me rregullu drejtësinë siç e rregullon Policinë Ministri i Punëve të Brendshme, nuk e ka atë kompetencë. Edhe kjo pastaj do njerëzve mundet me iu shkaktu frustrim, po na shkakton edhe neve, qe besa. Se ti po e vëren që aty janë do defekte, sistemi nuk po funksionon bash mirë e ti nuk po ki instrumente të drejtpërdrejta me rregullu. Dikund po ki instrumente, dikund nuk po ki”, ka deklaruar Konjufca.


(Kosova Sot Online)