Raportohet për vërshime në Slloveni dhe Kroaci

  • A.P /
  • 04 August 2023 - 23:00
Raportohet për vërshime në Slloveni dhe Kroaci

Stuhia, e cila mori tre jetë njerëzish në Slloveni natën e 3-4 gushtit, ka mbërritur edhe në Kroaci, për këtë arsye është shpallur alarmi i kuq në rajonet e Rijekës dhe Gospiqit, ndërsa një alarm portokalli është shpallur për rajonet e Zagrebit Karlovacit dhe Splitit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në Zagreb, siç raporton N1, lumi Sava ka dalë nga shtrati dhe në Veli Loshinj erërat e forta kanë rrëzuar pemët.

Policia sllovene tha për agjencinë sllovene të lajmeve STA se një slloven është mbytur në afërsi të Kamnikut, ndërsa dy holandezë kanë humbur jetën në malet në zonën e Kranjit. Sipas policisë, ende po hetohen rrethanat e sakta të vdekjes.

Termocentrali bërthamor i Kërshkos shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të premten në mbrëmje për shkak të prurjeve të mëdha dhe nivelit të lartë të ujit të lumit Sava. Është një gjendje e jashtëzakonshme me shkallën më të ulët të rrezikut në përputhje me Planin Kombëtar të Mbrojtjes dhe Shpëtimit në rast aksidenti bërthamor ose radiologjik.

(Kosova Sot Online)