Ambasada e SHBA-së: Në kundërshtim me kërkesat tona vendimi për ndërtesën komunale në Mitrovicën e Veriut

  • A.P /
  • 23 August 2023 - 22:11
Ambasada e SHBA-së: Në kundërshtim me kërkesat tona vendimi për ndërtesën komunale në Mitrovicën e Veriut

Ambasada e Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Kosovë tha të mërkurën se vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicë të Veriut për “largimin” e institucioneve serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, e as në përputhje me kërkesat e saj për mosndërmarrjen e veprime që mund ta përshkallëzojnë gjendjen, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut – një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta “lirojnë” objektin e tyre brenda tri ditësh.

 

Në përgjigje për rel, Ambasada amerikane tha më 23 gusht se SHBA-ja e ka këshilluar Qeverinë e Kosovës, përfshirë edhe kryetarët e komunave në veri, për t’u përmbajtur nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që shton tensionet.

“Ne vlerësojmë se këto veprime, të cilat nuk janë bashkërenduar me bashkësinë ndërkombëtare, janë në kundërshtim me kërkesat tona për shmangien e veprimeve të cilat mund t’i përshkallëzojnë tensionet, apo mund të perceptohen si përshkallëzuese”, tha Ambasada amerikane në Kosovë.

Inspektorati komunal tha se nuk i është ofruar ndonjë dokumentacion në bazë të të cilit institucionet e Serbisë mund ta shfrytëzojnë atë objekt, dhe se institucionet e Serbisë ishin njoftuar paraprakisht se duhet të përgatisin dhe paraqesin dokumente ose kontratë për shfrytëzimin e objektit.

Në ndërtesën e kontestuar janë të vendosura katër institucione që financohen nga Qeveria e Serbisë: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)