Nagavci: Ja kur pritet t’iu deponohen prindërve paratë për libra

  • A.P /
  • 29 August 2023 - 22:00
Nagavci: Ja kur pritet t’iu deponohen prindërve paratë për libra

Deri më tani janë pranuar rreth 80 mijë aplikime për rimbursim për blerjen e librave për nxënësit e shkollave fillore, ka njoftuar ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas saj, mjetet pritet t’iu deponohen prindërve në llogaritë e tyre bankare para datës 1 shtator.

Ministrja Nagavci ka thënë se po trajtohen me seriozitet edhe ankesat e prindërve për fëmijet që i mbushin 6 vjeç pas datës 1 shtator.

“Lidhur me një nga sfidat kryesore në të cilën kanë hasur prindërit -aplikimi online për fëmijët që mbushin 6 vjeç pas 1 shtatorit, ministrja i siguroi se këto dhe të tjera ankesa po trajtohen me seriozitet dhe përkushtim nga ekipet mobile”, thuhet në njoftimin e MAShT-it.

Tutje, ajo thekoi se komunat tashmë janë informuar që shkollat mund të bëjnë përzgjedhjen e titujve të teksteve, të cilat mësuesit duhet t’i ndajnë me prindërit para fillimit të procesit mësimor.

Këto detaje u dhanë gjatë një diskutimi mes Nagavcit, zëvendësministrit të Arsimit, Taulant Kelmendi dhe drejtorë të departamenteve të MAShTI.

“Po ashtu tha se, shtëpitë botuese kanë konstatuar se ka tekste të mjaftueshme, dhe nuk do të ketë probleme me furnizimin e librarive.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për fillimin e mësimit dual në 8 profile të reja, për Udhëzimet Administrative të ndryshuara dhe plotësuara, dhe çështje të tjera lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor”, thuhet tutje në njoftim.

(Kosova Sot Online)